Mickoski me qëndrim të pandryshuar, VMRO-DPMNE nuk do të votojë për qeveri teknike (Video)

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot edhe një herë e përsëri qëndrimin se deputetët nga radhët e partisë së tij nuk do të votojnë në seancë plenare për zgjedhjen e qeverisë teknike, shkruan Portalb.mk.

Mickoski tha se në njëqind ditët në vijim pret vazhdimin e politikave të këqija nga kryeministri teknik Talat Xhaferi.

“Ky është njeriu që nga fillimi deri në fund si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë bëri shumë lëvizje antikushtetuese dhe të kundërligjshme. Pres që politikat e këqija të vazhdojnë. Edhe pse dikur mund të kemi qenë unanim se nuk do të bëhet më keq se kaq, mendoj se është një qëndrim pesimist, duhet të jemi optimistë, prapë pres që në këto njëqind ditë të jetë më keq”, tha Mickoski.

I pyetur nga një gazetar se a pret që gjithçka të shkojë mirë me qeverinë teknike, Mickoski tha se me këta njerëz gjithçka është e mundur.

“Nuk pres turbulenca, me këta njerëz gjithçka është e mundur, por nuk pres asgjë që mund të prishë procesin. Ligji është i qartë, Kushtetuta është e qartë” tha Mickoski.

Në lidhje me koalicionin e mundshëm LSDM-BDI në të ashtuquajturën Fronti Evropian, Mickoski tha se është një koalicion kriminal, i cili në tentativë për defokusim e cilëson veten si evropian

“Aty nuk ka asgjë evropian, përpos se ndoshta së bashku kanë bërë marrëveshje se si ta varfërojnë dhe ta vjedhin popullin dhe shtetin, kjo është interesi që i bashkon ato struktura politike. Jam i sigurte se pas këtyre zgjedhjeve, ai opsion do të mposhtet rëndë, do të mund të kalojnë një mandat katër vjeçar në opozitë, do të mund të reformohen, me njerëz të rinj, me politika të reja dhe ide të reja dhe pas katër viteve të paraqiten në zgjedhje parlamentare dhe do të ofrojnë diçka më konkrete dhe më konkurrues. Kështu që, nëse shikojmë me egoizëm për arsye politike, unë i inkurajoj që më shpejtë ta formojnë atë koalicion, edhe nesër nëse mundet, por nëse e shikoj si qytetar i këtij shteti, si pedagog, profesor që çdo ditë i edukon studentët, atëherë vlerësoj se qytetarë më 8 maj ose më herët më 2 prill, do të jenë shumë të qartë dhe të zëshëm pas kutijave të votimit.” Shtoi Mickoski.

Përndryshe, më 5 qershor të vitit 2020, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet.

Kujtojmë se më 26 janar, Talat Xhaferi dha dorëheqje nga detyra e kryeparlamentarit dhe pranoi nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski mandatin për formimin e Qeverisë teknike. Ai i ka pranuar të gjitha propozimet nga partitë politike për ministra dhe zëvendësministra shtesë dhe sot duhet të dorëzojë në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë së ardhshme teknike, me formimin e të cilës Xhaferi do të bëhet kryeministri i parë shqiptar.

Kujtomë dhe se BDI ka thënë që nuk do t’i votojë ministrat e propozuar nga VMRO-ja, pasi që ata nuk e votojnë Xhaferin.