Ali Ahmeti: Nesër është ditë historike, po zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar

A duam t’ju lëmë mbesave dhe nipërve tanë një Maqedoni europiane a po një Maqedoni proruse, një vend demokratik, apo diktatorial, paqe a po konflikt, pyet Ahmeti në një fjalimin e tij drejtuar kombit, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një video-adresimi thotë se shqiptarët kanë ëndërruar për lirinë dhe barazinë, por edhe se për ta arritur atë duhet shumë përkushtim dhe besim. Ai thotë se ka besuar në Marrëveshjen e Ohrit, në zyrtarizimin e flamurit dhe gjuhës shqipe, si dhe ka besuar se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e NATO-s dhe do të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për Ahmetin nesër është një ditë historike, sepse në Maqedoninë e Veriut do zgjidhet kryeministri i parë shqiptar.

“Nesër, e diel, më 28 janar të motit 2024, zgjedhim Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah për krah, bashkë, për një Maqedoni evropiane”, tha Ahmeti.

Ai beson se mbështetja që ka marrë do të shpërblehet me një ëndërr të realizuar.

“Uroj të gjithë qytetarët tanë për këtë të arritur dhe jam i sigurt që vendi ynë po bëhet edhe më i fortë, edhe më i barabartë edhe më i bashkuar. Por, këtu nuk është fundi, ky është vetëm fillimi, kemi edhe shumë punë për të bërë dhe ëndrra për të realizuar. Sot kemi nevojë të bashkohemi, t’ia shtrijmë dorën njëri tjetrit, të lëmë anash gjërat që na ndajnë dhe të bashkohemi rreth gjërave që na afrojnë. Edhe para katër viteve, por edhe gjithmonë, kam thënë që ne kemi ditur se si të bashkohemi për qëllimet e përbashkëta, kur ka qënë e rëndësishme dhe vendimtare. Cfarë do të bëjmë ne nesër, do të definojë jetën e gjeneratave pas nesh. A duam t’ju lëmë mbesave dhe nipërve tanë një Maqedoni Europiane a po një Maqedoni proruse, një vend demokratik, apo diktatorial, paqë a po konflikt, përparim a po vend numëro?”, tha Ahmeti.

Ai bëri thirrje për bashkim, që brezat e ardhshëm të kenë sukses.

“Duhet të bëhemi bashkë! Këto procese janë më të mëdha se secili prej nesh, por është në duart tona që të ndërtojmë ura dhe ta shtrojmë rrugën për realizimin e ëndrrave… Kryeministrin e parë shqiptar e bëmë bashkë, ta bëjmë edhe Maqedoninë evropiane bashkë, duke besuar se ëndrrat realizohen po që se besoni dhe punoni”, theksoi Ahmeti.

Prapavijë

Më 5 qershor të vitit 2020, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet.

Kujtojmë se më 26 janar, Talat Xhaferi dha dorëheqje nga detyra e kryeparlamentarit dhe pranoi nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski mandatin për formimin e Qeverisë teknike. Ai i ka pranuar të gjitha propozimet nga partitë politike për ministra dhe zëvendësministra shtesë dhe sot duhet të dorëzojë në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë së ardhshme teknike, me formimin e të cilës Xhaferi do të bëhet kryeministri i parë shqiptar.

Për këtë pozitë, VMRO thotë që nuk do ta votojnë Xhaferin, ndërsa si kundërpëgjigje nëse ndodh kjo, nga BDI thonë se atëherë ata nuk do t’i votojnë ministrat e propozuar nga VMRO-ja.