Lufta speciale ruse në internet, 50,000 profile të rrejshme

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë zbuloi një fushatë ruse dezinformimi në platformën X (më parë e ashtuquajtur Twitter). Sipas analizës së ministrisë, rreth 50 mijë profile të rrejshme në gjuhën gjermane po e “ushqejnë” pakënaqësinë me qeverinë gjermane dhe po e fundosin mbështetjen për Ukrainën, shkruan DPA, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi i publikuar nga Spiegel dhe i transmetuar nga agjencia e lajmeve DPA, i referohet periudhës prej 20 dhjetorit deri më 20 janar.

Në atë periudhë ka pasur më shumë se një milion postime në Twitter në gjuhën gjermane nga profile të rrejshme. Postimet më së shumti kanë qenë me përmbajtje të akuzave ndaj qeverisë gjermane se ajo po neglizhon popullsinë e vete për të përkrahur Ukrainën.

“Jam i zhgënjyer sepse qeveria punon më shumë për vendet e tjera sesa për qytetarët e saj”, theksohet në një nga postime më virale në Twitter.

Profilet e rrejshme janë të lidhura me të njëjtat ueb faqe që shpërndajnë lajme të rrejshme, si për shembull se Ukraina është rrugës për tu mposhtur.

Postimet në Twittet kanë munguar vetëm gjatë fundjavave dhe festave shtetërore ruse.

Siç thuhet në hulumtim, vala aktuale e sulmeve po synon edhe vendet e tjera evropian. Ka indikacione se një pjesë e madhe e fushatës është e automatizuar dhe e kontrolluar nga algoritmet.

“Dezinformatat janë bërë kërcënim global”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për Spiegel.

Ai shtoi se qëllimi i dezinformatave është destabilizimi i shoqërive të tëra, jo vetëm në demokracitë perëndimore, por kudo.