Mickoski Gruevskit: Do të tregoj detaje kur të takohemi ballë për ballë, më vjen keq që vendose të bësh parodi publike

Lideri i VMRO DPMNE-së, Mickoski ka vazhduar përplasjen me ish-liderin e partisë Gruevski, i cili është arratisur dhe ndodhet në azil në Budapest. Gruevski dje ka reaguar ndaj intervistës së Micoskit dhënë për gazetën gjermane FAC, në të cilën ai thotë se Gruevski është në një “marrëveshje të pistë” me pushtetin aktual dhe në negociata të fshehta për ndarjen e partisë. Gruevski i ka thënë Mickoskit në Facebook që të paraqesë publikisht dëshmi se ka pranuar “lojë të pistë” me autoritetet, transmeton Portalb.mk.

Kësaj i është përgjigjur edhe Mickoski gjithashtu përmes Facebook-ut:

“Më vjen keq që vendosët  të bëni parodi publike dhe të shërbeni për t’u defokusuar nga krimi i kësaj qeverie kriminale dhe ju kuptoj, por nuk ju justifikoj dot. Nuk ka nevojë për dialog përmes mediave, por meqenëse më jeni drejtuar me status, vetëm një herë do t’ju përgjigjem në të njëjtën mënyrë:

Nikolla, nuk kam ndërmend të jem pjesë e skenarit të krijimit të përçarjes në favor të kësaj qeverie me korrespondencë publike. Një ditë kur të takohemi ballë për ballë do t’ju tregoj detajet nëse jeni gati t’i dëgjoni. Nuk do të lejoj të harrohet se çfarë po bën kjo qeveri kriminale për të qëndruar gjithnjë e më gjatë, duke krijuar një atmosferë ku humbet shpresa e qytetarëve për drejtësi. Nëse doni përçarje, ky është vendimi juaj dhe unë jam i gatshëm ta kundërshtoj, sepse nuk është betejë personale, por një betejë për Maqedoninë, e cila po zhytet gjithnjë e më shumë në krim, ku gjithçka shkon kundër vullnetit të qytetarëve. Ndërsa neve politikanëve nuk na zgjedh populli dhe as i përgjigjemi popullit për veprimet tona. Për Maqedoninë nuk duhet të ketë treg dhe marrëveshje nën tavolinë. Nuk do të lejoj marrëveshje personale dhe aranzhmane në kurriz të interesit kolektiv. Ky nuk është viti 2018, kjo është një kohë tjetër.

Siç thoshte “e vërteta është si gjilpëra, herët a vonë do të dalë”, dhe të vërtetën e dimë edhe unë edhe ti… por duket se e din edhe të tjerët që e thonë publikisht këto ditë, më shumë apo më pak me zë të lartë dhe qartë”, shkroi Mickoski.

Kujtojmë se kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski për gazetën gjermane “Frankfurter altemajne cajtung”, tha se Gruevski është në komunikim të fshehtë me qeverinë. Mickoski, siç transmeton Dojçe vele, thekson se “për të sjellë ndryshime kushtetuese, Qeveria përgatit marrëveshje të pista”.

Sipas Mickoskit, Qeveria beson se mund ta ndajë partinë opozitare, por, siç thekson, kjo nuk do të funksionojë.

“Kemi bërë gjithçka për perspektivën tonë evropiane. Por, por neve vazhdimisht na parashtrohen kërkesa të reja”, thotë Mickoski dhe thekson nëse nuk pranohet propozimi i tij për  shtyrje të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, atëherë nuk do të ketë kurrfarë ndryshimesh të Kushtetutës.