Ahmeti zbuloi “takime të fshehta” me Gruevskin dhe Zaevin për Kodin Penal, Sela kërkon “amnistia” të zgjerohet për “rastet e montuara”

Kryetari i BDI-së, në dy ditët e kaluara ka pasur dy intervista një pas një në dy media të ndryshme, ndërkaq ish kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, ka qenë i ftuar për të folur për aktualitetin politik dhe çështjet me rëndësi në vendin tonë. Tema që shkaktoi më shumë vëmendje, në kontekst të ndodhive politike dhe gjyqësore, ishte ajo e ndryshimit të Kodit Penal, të cilët deputetët me procedurë të shkurtuar e miratuan dhe me këtë u amnistuan apo u liruan pjesërisht nga faji shumë funksionarë e politikanë, të cilët dyshohen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Portalb.mk.

Tema e ndryshimit të Kodit Penal vazhdon të jetë ndër më të nxehtat. Ali Ahmeti, në intervistën e “TV21” i dha “zjarr” duke zbuluar, se ai dhe ish kryetarët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, paraprakisht dhjetëra herë janë takuar fshehtë për t’i diskutuar këto ndryshime.

“Është një epilog shumë interesant. Fillimisht nuk u pajtua Zoran Zaevi, dhe tani kur u arrit dakordësia me LSDM-në, u tërhoq VMRO-ja, u tërhoq Hristijan Mickoski nga ndryshimet e Kodit Penal dhe kjo ishte befasi e madhe. Janë bërë dhjetëra takime në Klubin e Deputetëve për këtë Kod, për ta ndryshuar dhe për ta përafruar me standardet evropiane. Në ato takime ka pasur grupe të punës. Takimet janë bërë në fshehtësinë më të madhe mes Zoran Zaevit, Nikolla Gruevskit dhe unë. Erdhëm deri te momenti kur u dakorduam të gjithë dhe në fund u tërhoq VMRO-ja”, tha Ahmeti në një intervistë në TV21.

Zaev dhe Gruevski, pas deklaratës së Ahmetit dolën me reagim, duke mohuar se janë bërë takime të tilla.

“Nuk është e saktë se kam pasur takime të fshehta me Ahmetin dhe Gruevskin dhe jam marrë vesh për ndryshim të Kodit Penal. Deklarata e Ahmetit është e pavërtetë”, ka deklaruar Zaev për TV24.

“Nuk ka pasur kurrfarë takime të fshehta për nenin 353, në të cilat unë kam marrë pjesë”, thotë mes tjerash Gruevski në një status të gjatë në Facebook.

Nga ana tjetër, në lidhje me ndryshimet e Kodit Penal, Ziadin Sela për TV21 mbrëmë tha se atij dhe subjektit politik që i takon di të ishin të interesuar, nëse në tryezën e bisedimeve do të vendoseshin edhe lehtësimet e dënimeve për të dënuar të tjerë, siç është rasti “Monstra”, “Lagjja e trimave” dhe “Alfa”.

“Në qoftë se duhet të amnistojmë të tillë politikanë dhe figura të tilla politike, atëherë kjo duhet të shkojë paralelisht edhe me çështje tjera të cilat duhet të bëhet amnisti e përgjithshme. Ka shumë tema tjera, Monstra, Lagja e Trimave, që është rezultat i atij regjimi të mbrapsht që e solli këtë, a t’i hapim të gjitha temat? Nuk mundet temat të hapen parciale!”, theksoi Ziadin Sela – deputet i ASH-së.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.