Bekteshi: Javën e ardhshme do të ulen çmimet e pijeve

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka njoftuar sot në profilin e tij në Fejsbuk se çmimet e pijeve joalkoolike dhe alkoolike do të ulen për 10% në periudhën e ardhshme, transmeton Portalb.mk.

“Ulje e çmimeve e pijeve joalkoolike dhe alkoolike!

Sot pranova disa porosi nga prodhuesit tanë vendor të ujit mineral, lëngjeve, birrës…, të cilët bëhen pjesë vullnetarisht në fushatën “ÇMIMI I GARANTUAR” për uljen e çmimeve për të paktën 10%! Faleminderit për mbështetjen”, ka shkruar ministri Bekteshi në profilin e tij në Facebook.

Kujtojmë se dje, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancë vendosi të ngrijë çmimet e 50 produkteve ushqimore, si dhe obligimin e tregtarëve për të prokuruar lloje të caktuara dhe sasitë e mallrave individuale për konsumatorët sipas rendit të caktuar.

Sipas vendimit, tregtarët që merren me prodhim dhe tregti me shumicë kanë detyrimin t’i shesin produktet/mallrat që janë me çmim të reduktuar çdo muaj te tregtarët që merren me tregtinë me pakicë, në masën të paktën 70% të sasisë së shitur në muajin gusht 2023.

Po ashtu, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria në seancën e djeshme ka miratuar Vendim për plotësimin e Vendimit për ndalimin e tregtarëve nga tregtia me mallra të veçanta.

Me Vendim, shitësve me pakicë u ndalohet të ofrojnë shitje aksionale (aksion) dhe shitje promocionale (promocion) gjatë shitjes së produkteve bujqësore dhe ushqimore. Ndalimi do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor 2023.

Në të njëjtën kohë, u vendos që çmimet në tregtinë me pakicë, të cilat janë ulur për shkak të skadimit të afatit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, të mos konsiderohen si shitje promocionale (promocion).

LEXO: Bekteshi: Do të ndalohet shitja promocionale në markete, pritet ngrirje e çmimeve

Më 1 korrik përfundoi masa për marzhet e ngrira për produktet ushqimore bazë – bukë, sheqer, vezë dhe produkte të qumështit. Me këtë lëvizje, shteti ia lë në dorë prodhuesve dhe tregtarëve që t’i përcaktojnë vetë çmimet sipas kushteve të tregut. Të gjitha të rezervuara për vlerësimet e rritjes ose rënies së çmimeve.