Ziberi: Qytetarët nuk kanë faj, shteti duhej të paguante shpenzimet për pasaportat dhe letërnjoftimet

Avokati i Popullit, Naser Ziberi thotë se hapja e pikës për nxjerrje të dokumenteve personale pa termin në “Prolet”, nuk ka zgjedhur plotësisht vështirësitë që hasin qytetarët, shkruan TV21. Zyberi thotë se shpenzimet për nxjerrjen e dokumenteve me emrin e ri të shtetit duhej t’i mbulonte qeveria.

“Unë i jam drejtuar Qeverisë me apel, që shpenzimet për përtëritjen e këtyre dokumenteve, për të gjithë qytetarët, të cilët pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese u janë dhënë[ dokumente me emrin Republika e Maqedonisë, të jenë në ngarkesë të buxhetit të shtetit e jo të qytetarëve, sepse ata qytetarë që në këtë periudhë kanë nxjerr dokumente personale, jo për fajin e tyre, kanë marrë pasaporta, letërnjoftime dhe dokumente tjera, të cilat shteti i shpall të pavlefshme që nga 24 shkurti i këtij viti. Fatkeqësisht Qeveria nuk e pranoi këtë rekomandim timin”, tha Ziberi.

Avokati i Popullit në gusht të këtij viti kërkoi nga Qeveria edhe një herë ta shqyrtojë mundësinë për mbulim të mundshëm të shpenzimeve së paku për letërnjoftimet, obligim që imponohet me vetë Ligjin për letërnjoftim. Për të gjithë qytetarët që jo për fajin e tyre mbeten pa letërnjoftim të vlefshëm, shteti ta sigurojë shpenzimin financiar.

Ziberi theksoi se deri te Avokati i Popullit në periudhën e kaluar kanë mbërritur parashtresa mbi dy baza, përkatësisht mospasje të mundësisë për caktimin e terminit për ndërrimin e dokumenteve dhe barrën financiare.

Në Maqedoninë e Veriut vetëm gjysma e qytetarëve kanë arritur të pajisen me dokumentet e reja personale, në të cilat figuron emri i ri i shtetit. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më 25 dhjetor të këtij viti ka dorëzuar 1 milion e 151 mijë e 628 pasaporta të reja, 993 mijë e 966 letërnjoftime dhe 525 mijë e 225 patentë shoferi kundrejt 1 milion e 836 mijë qytetarëve shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, të gjithë shtetasit maqedonas duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Pas kësaj date, dokumentet aktuale – pra ato me emërtimin Republika e Maqedonisë – nuk do të jenë të vlefshme, pavarësisht nëse ende kanë afat.

Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.