Mexhiti: Në vitin 2024 do të ketë masa të rrepta për ndotësit e ajrit dhe për duhanpirësit

Në vendet më moderne të botës bëhet thirrje për parandalim lidhur me ndotjen e ajrit. Do të shihni që në vitin e ardhshëm do të veprojmë në mënyrë shumë dinamike me masa të përbashkëta me të gjitha ministritë. Do të ketë masa vërtet të rrepta ndaj ndotësve. Duhet të synojmë që të bëhemi pjesë e hartës së gjelbër ekologjike, që në botë të ketë vend për Maqedoninë, transmeton Portalb.mk.

Kështu theksoi sot në një konferencë për mediat ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili foli për shumë tema lidhur me dikasterin që ai e drejton. Gjëja e parë që Mexhiti e premtoi kur e mori detyrën 9 muaj më parë ishte zgjidhja e problemit të kaosit me parkimin në Qendrën Klinike.

“Tek Qendra Klinike do të ketë dy garazhe me kate, njëra tek heliodromi dhe tjetra tek Klinika e vjetër e Gjinekologjisë. Të gjitha procedurat janë në proces e sipër”, tha atëkohë Mexhiti, pa precizuar se kur do të përfundojë ky projekt.

Sa i përket punonjësve shëndetësorë, në mesin e të cilëve ka nga ata që po punojnë me kontratë mbi vepër edhe për më shumë se 10 vite, Mexhiti tha se nëse marrëdhëniet e tyre të punës do të transformohen do të dihet ditën e premte.

“Ne kemi luftuar fort që kjo të kalojë në qeveri, por se cili është epilogu do t’ju them deri të premten. Pardje kishim një takim me Ministrinë e Financave dhe me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i harmonizuam numrat dhe na duhet edhe një takim tjetër për të vendosur përfundimisht se si do të vazhdojmë, por ju lutem prisni deri të premten që të mund të them nëse do të punësohen definitivisht”, theksoi Mexhiti.

Sa i përket zgjerimit të paralajmëruar të listës pozitive të barnave, ai tha se ajo pritet të zgjerohet brenda një kohe shumë të shkurtër.

I pyetur për videon që mbrëmë u shpërnda në rrjetet sociale, në të cilën një punonjës në klinikë gjoja pi cigare në vendin e punës, ministri tha se punonjësi është identifikuar dhe se po përballet me sanksione.

“Ne e pamë atë video mbrëmë vonë. Personat e tillë që gjatë orarit të punës nuk i respektojnë ligjet dhe masat duhet të raportohen. Është koha që të gjithë të kenë kujdes, personi për të cilin po flisni do të sanksionohet rreptë”, tha ministri.

Ai paralajmëroi masa të rrepta për pirjen e duhanit në vitin 2024, pa precizuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

“Si mjek me përvojë shumëvjeçare, qëndrimi im është se duhet të punojmë për preventivë sepse pastaj kur shfaqen një sërë sëmundjesh, kjo gjë i kushton shtetit, ndërsa më së shumti u kushton familjeve kur humbasin të dashurit e tyre që janë sëmurë si pasojë e pirjes së duhanit. Kur diagnostikohen sëmundjet atëherë është tepër vonë. Pirja e duhanit nuk është një varësi, është një ves i keq dhe pa duhan mund të jetohet. Nëse njerëzit nuk e mbrojnë vetë veten e tyre, ata duhet t’i mbrojnë të dashurit e tyre, fëmijët më të vegjël në shtëpitë e tyre”, tha Mexhiti.

Kujtojmë se sot në Shkup hyjnë në fuqi masat dhe rekomandimet për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, gjegjësisht për shkak të koncentrimit të shtuar të grimcave PM 10 gjatë dy ditëve radhazi, njoftoi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH).

Në dy ditët, siç njoftojnë Ministria, më 25 dhe 26 dhjetor janë matur mbi 150 mikrogramë për metër kub grimca PM 10, duke kaluar kështu pragun e alarmit.