Mexhiti, Gashi dhe Kasami kanë një pyetje për ndryshimet në Kodin Penal

Izet Mexhiti, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami, të koordinuar, kanë bërë secili nga një pyetje publike, referuar ngjarjeve të fundit me ndryshimet eksprese në Kodin Penal, të cilat amnistojnë krimet e funksionarëve të mëparshëm dhe atyre aktual, transmeton Portalb.mk.

“A është e vërtetë që Nikolla Gruevskit do t’i kthehet pasporti javën e ardhshme, sepse me ndryshimet në Kodin Penal ai automatikisht lirohet nga përgjegjësia për rastin TNT dhe TRAEKTORIA, ndërsa për krimet e tjera për të cilat është dënuar do t’i lejohet përsëritje e procedurës penale?”, pyet Mexhiti

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami pyet nëse “projekti milionësh “ALUMINA” nyja lidhëse e gardës së vjetër politike në RMV në përbërje me Ali Ahmetin, Artan Grubin, Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin me kumbar Ismail Jaoskin – Pucko Petrol?”

Nga ana tjetër, kryetari i Alternativës Afrim Gashi pyet: A i ka lutur, deri në qiell, Ali Ahmeti disa nga ndërkombëtarët, gjatë një takimi në Shkup, që ta lejojnë amnistinë e Nikolla Gruevskit?!

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.