Sherr mes Grubit dhe Dimitrievskit se kush ishte në Budapest te Gruevski

Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski dhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, përmes njoftimeve dhe postimeve në Facebook, po zihen se kush ka qenë për ta vizituar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në Budapest, transmeton Portalb.mk.

Dimitrievski fillimisht e pyeti publikisht Grubin se cilat janë arsyet që ka qenë në Budapest, Grubi i është përgjigjur: “Makso, nuk të ngjan të gënjesh dhe të rezilosesh publikisht kështu”, ndërsa Dimitrievski vazhdoi.

“A është e vërtetë se është mbajtur një takim ndërmjet lidershipit të ngushtë të LSDM-së dhe BDI-së në të cilin është vendosur që të kërkohet ndihmë nga Budapesti? A është e vërtetë që në atë takim u vendos që personi për kontaktme Budapestin të jetë z. Grubi? A është e vërtetë se për ndihmën e Budapestit është kërkuar ligj për “amnisti” (amendamentet aktuale të anëtarëve të KP) dhe sigurimin e një numri shtesë të deputetëve për amendamentet kushtetuese”, pyeti Dimitrievski.

Artan Grubi më pas përmes një komenti në Facebook e ka pyetur kryetarin e komunës së Kumanovës se a është pajtuar në Budapest me VMRO-DPMNE-në që t’i jepen votat në zgjedhjet lokale me të cilat është bërë kryetar i Kumanovës.

“E di që është zhgënjyese, por unë në Budapest nuk kam qenë kurrë në jetën time dhe nuk kam takuar askënd as në Budapest e as në Hungari. Thuaj të tuajve, a u more vesh ti  në Budapest që VMRO t’ju japë votat në zgjedhjet lokale në të cilat jeni bërë kryetar i Kumanovës? Por thuaj të vërtetën, mos gënje më”, pyeti Grubi.

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.