RMV, në mesnatë do të ketë çmime të reja të derivateve të naftës

Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) vendosi që nga mesnata të ketë çmime të reja të derivateve në vend, përkatësisht rritje. Çmimi i Eurodieselit (D-E V) dhe i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) ulet për 0,50 denarë për litër. Çmimi i Eurosuper BS-98 do të rritet për 0,50 denarë, ndërsa benzina Eurosuper BS-95 do të shitet me çmimin aktual, transmeton Portalb.mk.

Ndryshime ka edhe në çmimin me pakicë të mazutit M-1 NS dhe nga mesnata do të rritet për 0,094 denarë, ka vendosur sot Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Sipas vendimit, çmimi i ri i Eurosuper BS-95 do të jetë 87 denarë për litër, Eurosuper BS-98 do të kushtojë 89 denarë, ndërsa Eurodizeli (D-E V) do të shitet për 81 denarë për litër.

Me vendim të KRRE-së, nga sonte në mesnatë, vaji ekstra i lehtë 1 (EL-1) do të kushtojë 80,50, ndërsa mazuti M-1 NS do të shitet për 46,158 denarë për kilogram.