Pendarovski takoi kryetarin e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer: në fokus bashkëpunimi dhe siguria rajonale

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim kryetarin e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në takim u bisedua për procesin e transformimit, pajisjes dhe modernizimit të ushtrisë së Maqedonisë dhe pjesëmarrjes në operacione dhe stërvitje ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, çështjet aktuale rajonale dhe të sigurisë, si dhe shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën në Ukrainë dhe rolin e Aleancës në mbrojtjen e popullit ukrainas nga agresioni ushtarak rus. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski rikonfirmoi mbështetjen e tij për Ukrainën dhe popullin ukrainas, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake, humanitare dhe diplomatike brenda kufijve të mundësive të saj, me qëllimin përfundimtar: ndalimin e agresionit ushtarak.

Presidenti Pendarovski dhe Admirali Bauer deklaruan se Aleanca duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për të mbështetur Ukrainën në mënyrë që të stabilizohet situata në të gjithë zonën euroatlantike.

Presidenti Pendarovski shprehu gatishmëri për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe forcimin e aleancës së NATO-s në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të përbashkëta për siguri kolektive dhe paqe në kontinentin evropian.

Takim me Kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, realizoi edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Edhe në këtë takim u bisedua për sfidat aktuale të sigurisë, me fokus në agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe pasojat e saj, si dhe për masat të cilat i merr Aleanca me qëllim që t’i përshtatet realitetit të ri të sigurisë, që të përballet me sfidat dhe që të forcojë mbrojtjen dhe parandalimin. Në këtë kontekst, iu referuan Samitit të fundit të NATO-s në Vilnius dhe vendimeve të rëndësishme, të cilat i mblodhën liderët e vendeve anëtare, me çka edhe një herë u konfirmua uniteti i Aleancës.

Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si aleate kredibile mbetet e përkushtuar në vendosmërinë e saj për të kontribuar drejt paqes globale, sigurisë kolektive dhe stabilitetit të rajonit. Në këtë drejtim, theksoi kontributin tonë në misionet dhe grupet luftarake të NATO-s, si dhe vendosmërinë për të ndarë 2% nga BPV për mbrojtje.

Gjatë bisedës, theks i veçantë u vu në situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor.

“Aleanca mbetet e përkushtuar dhe e fokusuar në rajonin tonë, i cili është me rëndësi strategjike për NATO-n. Siguria dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet tona të politikës së jashtme dhe duke pasur parasysh këtë, ne marrim rol proaktiv në avancimin e proceseve të integrimit euroatlantik dhe ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit”, konkludoi Osmani.

Kujtojmë se më 11 dhe 12 korrik të këtij viti u mbajt Samiti i NATO-s, ku udhëheqësit e vendeve të NATO-s thanë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie strategjike për aleancën dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni.

Në ditën e parë të samitit që mbajtën në Vilnius të Lituanisë, ata thanë se i mbështesin reformat që i forcojnë aspiratat e vendeve të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ata vlerësuan se Ballkani Perëndimor kërkon vëmendje dhe përkushtim të vazhdueshëm nga NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar për t’u përballur me këto sfida.