Mes Beccaria’s dhe Makiavelit

Për korrupsionin është folur shumë dhe vazhdon të flitet. Të gjithë thonë që duhet të ndërmiren masa të ndryshme për ta ndaluar dhe ndëshkuar korrupsionin, e sërish, të korruptuarit ecin përpara dhe tek ata që reagojnë ndaj këtij realiteti shpesh krijohet ndjenja e qenve që lehin pas karavanit. Lajme të ndryshme publikohen, bëhen senzacionale, dhe më pas kalojnë disa ditë dhe ato bien nën hijen e lajmeve tjera, e gjërat fillojnë të harrohen. Ç’është më e keqja, në të gjitha rastet e ngritura për korrupsion, janë pikërisht ata në fund të zinxhirit të përgjegjësisë ata që marrin dënime më të larta. Kreu i përgjegjësisë mbetet shumë shpesh i padënuar, ose jashtë radarit të dënimit, që assesi të realizohet për ata kryesorët, për ata që përfitojnë më së shumti nga rastet korruptive.

Për fat të keq korrupsioni ka hyrë aq thellë në të gjitha sferat dhe na ka gllabëruar në çdo aspekt. Ngado që të kthehesh vëren gjëra që nuk funksionojnë, e që për të funksionuar kërkojnë aktivizimin e ndonjë praktike korruptive. Korrupsioni nuk është vetëm dhënia dhe marrja e ryshfetit. Korrupsion është edhe tregtia me ndikime, favoret që kërkohen e që jepen në mënyrë të ndërsjellë. Dhe këtu kemi dështuar si shoqëri. Normalisht që fajin më të madh e kanë institucionet që janë krijuar për të ndjekur dhe ndëshkuar korrupsionin e të cilat aktivizohen vetëm pas skandaleve të publikuara në mediume. Normalisht fajin e kanë të gjitha strukturat e tashme, të kaluara e të ardhshme që nuk gjejnë dot tjetër mënyrë të funksionimit dhe nuk dalin nga ky rreth vicioz që na ka gllabëruar si shoqëri. Normalisht fajin e kanë të gjithë ata që e fshehin dhe e mbulojnë korrupsionin sa herë që e shohin të ndodhë. Por fajin nga pak e ka edhe gjithë shoqëria, sepse herët a vonë në jetë, gjithkujt i duhet të kërkojë ose të japë favore të vogla këtu e aty, dhe kjo as që perceptohet si korrupsion në përditshmërinë tonë dinamike dhe të ngarkuar.

E keqja është se nga pasojat e korrupsionit vuajnë të gjithë në një shoqëri, por vuajn më së shumti ata që janë më të dobët. Ata që janë të varfër, ata që janë të paprivilegjuar, ata që dështimin e institucioneve e paguajnë më jetën e tyre, ata që nuk kanë sa duhet ndikim dhe fuqi për të kërkuar përgjegjësi nga më të fuqishmit që gjithmonë arrijnë të shpëtojnë disi. Prandaj mosbartja e përgjegjësisë vret shumë, sepse krijon përshtypjen se falë parave, fuqisë, dhe ndikimit që mund të keni, mund të shpëtoni gjithmonë nga gjithçka.

Studiuesi i njohur Italian i kohës së iluminizmit, Cesare Beccaria, themelues i shkollës klasike të të drejtës penale, ka besuar thellësisht në parimin e ligjshmërisë. Ai e konsideron këtë si parimin kryesor i cili duhet respektuar me cdo kusht nga të gjithë. Në librin e tij të njohur “Mbi krimet dhe dënimet”, ai argumenton që nuk është shumë me rëndësi sa i ashpër është dënimi, por me rendësi është që dënimi të jetë i paevitueshëm dhe të zbatohet me përpikshmëri dhe pa përjashtim. Ai konsideron se aspekti më i rëndësishëm i dënimit është paevitueshmëria e tij. Për çfarë shërbejnë dënimet e ashpra nëse të njejtat mund të evitohen?

Problemi me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut nuk qëndron tek gjatësia apo ashpërsia e dënimeve. Problemi qëndron tek fakti që ata që kanë mundësi, fuqi dhe ndikim, i evitojnë dënimet. Problemi ende më i madh qëndon në qasjen e përgjithshme Makiaveliste të politikës së lartë e cila sa herë që është e nevojshme e sakrifikon drejtësinë në altarin e stabilitetit politik. Dhe kur drejtësia një herë sakrifikohet, rivendosja e saj në binarët e paevitueshmërisë bëhet shumë e veshtirë.

Për të dalur nga rrethi vicioz i korrupsionit nuk mjafton vetëm ligji, nuk majfton vetëm të ketë dënime të rënda apo të lehta në kodin penal. Duhet shumë më shumë se kaq. Ne kemi problem me ligjet që nuk i zbatojmë në praktikë. Ne dimë të shkruajmë ligje shumë të mira, kur ka nevojë të njejtat i harmonizojmë sa ska më mirë me praktikat evropiane, por kur duhet t’i zbatojmë, atëhëherë bëhemi sikur nuk i kemi fare ato ligje. Nëse duam vërtet të shpëtojmë një herë e mirë nga korrupsioni dhe ta dënojmë atë në mënyrë adekuate, na duhet një kontratë e re shoqërore: na duhet që të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, të vegjël e të mëdhenj, me ndikim e pa ndikim, të pasur e të varfër, funksionarë e njerëz ordinarë, pushtetarë e opozitarë, njerëz të vendit e ndërkombëtarë të biem dakord një herë e mirë se korrupsioni nuk do të tolerohet dhe nuk do të lehet pa u ndëshkuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.