Të hënën fillon Festivali i Muzikës Kamertale “Skupi Kamerfest “

Shtatori, tetori dhe nëntori sjellin shumë ngjarje kulturore në qytetet e Maqedonisë. Pikërisht në këto tre muaj ka shtrirë aktivitetin edhe Festivali i Muzikës Kamertale “Skupi Kamerfest”, i vetmi i këtij lloji në Maqedoni. Nga e hëna më 18 shtator me fillim në orën  19.30 hapet festivali zyrtarisht, njofton Portalb.mk

Skupi Kamerfest 2023
Skupi Kamerfest 2023organizatorët

Sivjet bara e menaxhimit më së shumti i ka rënë Nita Grubit, por sigurisht në aspektin e menaxhimit të kësaj ngjarje kanë kontribuar edhe profesori Blerim Grubi dhe i biri Lekë Grubi.

Nita për Portalb.mk thekson se këtë vit do të ketë program shumë special për të gjithë adhuruesit e muzikës kamertale.

“Edhe viteve tjera ka pasur program shumë të larmishëm, por sa më shumë edicione po bëhen, sivjet i gjashti, ky festival po e përsos veten për nga ana e bashkëpunimit me artistë që vjen gjithnjë e më shumë duke u zgjeruar”, shton ajo.

Hapja e festivalit fillon me “Balkan Art Stage” më datë  18 shtator, pra të hënën, kësaj radhe në Filharmoninë e Maqedonisë te Salla kamertale.

Programi shtrihet në tre muaj, ndërsa zgjasin gjashtë netë. Më 28 shtator  vjen mbrëmja “Nuansa-Nuances”  me dirigjentin, pianistin, kompozitorin Lodi Luka i cili jeton dhe vepron mes Shqipërisë dhe Italisë. Performanca realizohet me orkestrin kamertal me studentë të Universitetit të Prishtinës. Në këtë natë do të interpretohen vepra të komponuara nga vetë Lodi Luka për klarinet dhe orkestër, dhe violinë dhe orkestër. Koncerti mbahet në Muzeun e Luftës Maqedonase.

Skupi Kamerfest 2023
Artistët e Skupi Kamerfest 2023, foto nga organizatorët

Pritet në një nga netët një  “Duo Austriake” me Johannes Fleischmann dhe Christoph Ulrich Meier.

14 nëntori vazhdon me artisten Aleksandra Ballog me trio nga Hungaria.

Për të vazhduar më pas me një natë e cila sipas Nitës është konceptuar që të jetë arenë e të rinjve ndaj dhe quhet  “Skena Juvenis” . Në këtë natë do të performojë  Dielli Ballata në flautë, fitues i çmimit ‘Grand Prix’ në garat “ArsKosova” … dhe mysafirë tjerë bashkëmoshatarë të cilët janë të dalluar në sferën e skenës së muzikës klasike.

21 nëntori sjellë korin  “Siparantum” nën dirigjimin e Memli Kelmendit. Pra, të gjitha koncertet fillojnë në orën 19.30, hyrja është falas për të gjithë adhuruesit e muzikës.