Me urdhër të Speciales, u arrestua ish-luftëtari i UÇK-së në Tiranë

Është arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, ka konfirmuar Policia e Shtetit dhe vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën, raporton Koha.net. Goxhaj u arrestua në Tiranë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, Goxhaj akuzohet për veprën penale “frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave”.

“Ai do të qëndrojë i paraburgosur në Shqipëri deri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare për ekstradim”, thuhet në njoftim.

Ai është djali i ish-zëvendësshefit të Shtabit të UÇK-së dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.

Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftës së Kosovës, edhe i biri Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Ky është urdhër arresti i radhës nga Gjykata Speciale për ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më herët kjo gjykatë ka dërguar në pranga politikanë të lartë të Kosovës, mes tyre udhëheqësit e luftës, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët vijojnë ende të jenë në qeli.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.