“Më mirë për Tetovën”: Tetovës i duhet gjelbërim, prerja e drunjve të rritur është e papranueshme

Lëvizja qytetare “Më mirë për Tetovën” ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë, praktikës së vazhdueshme të prerjes së drunjve në Tetovë, duke kërkuar nga autoritetet lokale transparencë për çdo ndërhyrje në gjelbërimin e qytetit, transmeton Portalb.mk.

Nga “Më mirë për Tetovën” thonë se Tetova përballet prej vitesh me ndotje të ajrit dhe temperatura gjithnjë e më të larta, ndaj prerja e drunjve të rritur është e papranueshme.

Sipas tyre, drunjtë kanë rol të rëndësishëm në uljen e temperaturave, filtrimin e ndotësve të ajrit, thithjen e karbonit, reduktimin e zhurmës dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Çdo dru i humbur sot do të thotë më pak hije, më pak ajër i pastër dhe më pak mbrojtje për qytetin tonë”, thuhet në reagim.

“Më mirë për Tetovën” kërkon nga Komuna e Tetovës që për çdo dru të prerë të bëhet publike baza dhe vendimi me të cilin është lejuar ndërhyrja, si dhe vlerësimi profesional mbi nevojën për prerjen e tij.

Gjithashtu, kërkohet transparencë lidhur me masat kompensuese dhe zëvendësimin e drunjve të prerë, duke theksuar se procedurat për prerjen dhe krasitjen e drunjve përcaktohen me ligj dhe nuk duhet të kryhen në mënyrë arbitrare.

“Një dru i madh nuk zëvendësohet thjesht me një fidan. Duhen vite e dekada për të rikthyer hijen dhe vlerën ekologjike që humbasim sot”, theksojnë nga “Më mirë për Tetovën”.

Nga kjo lëvizje apelojnë që gjelbërimi urban të trajtohet si një pasuri e qytetit dhe jo si hapësirë për ndërhyrje pa arsyetim dhe transparencë.