Betoni fiton, gjelbërimi humb: Tetova ende pa park të qytetit

Përderisa në Tetovë ndërtimet e reja dalin si ‘kërpudhat pas shiut’, hapsirat e gjelbra vazhdojnë të anashkalohen, ndërsa ende nuk është krijuar as parku i qytetit. Me gjithë tollovinë urbanistike, ekspertët thonë se qyteti ende mund të bëhet më i gjelbër, por autoritetet lokale vazhdojnë të qëndrojnë duarkryq, shkruan Portalb.mk.

Në Tetovë momentalisht po ndërtohen shumë objekte të reja banesore, ndërsa nga ana tjetër kjo nuk po ndodh me krijimin e hapsirave të gjelbra.

Ndërkaq me vite zvarritet ideja për krijimin e parkut të qytetit të cilën Tetova nuk e ka ende.

Pavarësisht kësaj, edhe ata pak parqe të vogla që janë, shpesh nuk mirëmbahen si duhet.

Besian Mehmeti: Mund të krijohen hapsira të vogla të gjelbra

Pasi brenda qytetit është e vështirë që të gjendet ndonjë sipërfaqe më e madhe për park të qytetit, arkitekti Besian Mehmeti në #TROÇ deklaroi se mund të krijohen parqe më të vogla.

“Ekziston mundësia që të gjenden hapsira të lira dhe të bëhen parqe të vogla, me qëllim që çdo qytetar të mundet në distancë prej 5 minutave të rrijë deri te një park. Kjo është e mundshme duhet të ketë vullnet dhe dëshirë për t’u arritur”, tha Mehmeti.

Besian Mehmeti në TROÇ. Foto: Portalb.mk
Besian Mehmeti në TROÇ. Foto: Portalb.mk

Zana Ahmedi: Qyteti mund të zhvillohet pa e humbur natyrën, duhet qasje e re në zhvillimin urban

Arkitetktja e peizazhit nga Tetova e cila momentalisht jeton dhe vepron në Oslo, Zana Ahmedi, thotë se qyteti mund të zhvillohet pa e humbur lidhjen me natyrën. Sipas saj, duhet planifikim më i mirë urban.

Ahmedi thotë se Tetova ka një kombinim të veçantë të peizazhit natyror, trashëgimisë bujqësore dhe strukturës urbane, por se këto vlera nuk janë shndërruar ende në bazë të planifikimit të qytetit.

Sipas saj, hapi i parë duhet të jetë hartimi dhe kategorizimi i hapësirave të gjelbra dhe ujore, në mënyrë që ato të mbrohen dhe të integrohen në zhvillimin urban.

“Zgjidhjet e bazuara në natyrë janë më ekonomike në afat të gjatë, sepse ekosistemet e projektuara sipas proceseve natyrore janë vetërregulluese dhe kërkojnë më pak mirëmbajtje. Kjo na rikthen te parimi themelor i arkitekturës së peizazhit: të kuptojmë natyrën për të mundur të projektojmë në përputhje me proceset e saj. Tetova ka potencialin të zhvillohet në harmoni me natyrën; sfida është ta shohim natyrën jo si pengesë për zhvillimin, por si partnerin më të rëndësishëm të tij”, tha Ahmedi.

Foto: Zana Ahmedi (arkivi privat)
Foto: Zana Ahmedi (arkivi privat)

Agron Arifi: Prioritet i komunës është betonizimi i qytetit, jo hapsirat e gjelbra

Këshilltari komunal nga nisma qytetare ‘Më Mirë për Tetovën’, Agron Arifi për Portalb.mk thotë se prioritet i komunës nuk ka qenë krijimi dhe mbrojtja e hapësirave të gjelbra, por betonizimi i qytetit.

“Qytetarët janë dëshmitarë se gjatë viteve të fundit janë prerë dhe shkatërruar edhe ato pak pemë dhe sipërfaqe të gjelbra që ekzistonin. Në një qytet që ende nuk ka park të qytetit, me ndotje të lartë të ajrit dhe temperatura gjithnjë e më ekstreme, vazhdimi i betonizimit dhe zhdukja e gjelbërimit është alarmuese dhe duhet të ndalet urgjentisht”, thotë ai.

Arifi sqaron se mbjellja e pemëve të reja është e domosdoshme dhe çdo iniciativë në këtë drejtim duhet përshëndetur. Megjithatë, shton ai, nuk mund të krijohet përshtypja se disa fidanë zëvendësojnë dhjetëra pemë të rritura prej 40 apo 50 vitesh. sipas tij, vlera ekologjike, kapaciteti për pastrimin e ajrit, hijëzimi dhe ndikimi në mikroklimën e pemëve të vjetra nuk mund të krahasohen me ato të pemëve të sapombjella.

Agron Arifi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Agron Arifi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Për më tepër, Ligji për Gjelbërimin Urban parasheh detyrime të qarta për komunat. Çdo komunë duhet të ketë kadastrën e gjelbërimit urban, ku evidentohen pemët dhe sipërfaqet e gjelbra, ndërsa prerja e një peme nuk mund të bëhet në mënyrë arbitrare, por vetëm pas një procedure të përcaktuar me ligj dhe me arsyetim profesional. Po ashtu, ligji parashikon kompensimin e gjelbërimit të humbur me mbjellje zëvendësuese sipas kritereve të përcaktuara. Fatkeqësisht, në Tetovë kemi parë vazhdimisht prerje të pemëve pa transparencë, pa zëvendësim të denjë dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale për dëmin e shkaktuar”, tha Arifi.

“Tetova nuk ka nevojë për më shumë beton, por për më shumë hije, ajër të pastër dhe hapësira publike ku qytetarët mund të jetojnë më shëndetshëm. Mbrojtja e pemëve ekzistuese duhet të jetë prioritet, ndërsa zgjerimi i sipërfaqeve të gjelbra duhet të jetë një politikë e vazhdueshme dhe jo një premtim i përkohshëm”, tha Arifi.

Se ku ka ngecur plani për parkun e qytetit, nga Komuna e Tetovës me javë të tëra nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske, se pse ende nuk ka asgjë konkrete për parkun e qytetit dhe nëse komuna ka ndonjë plan për shndërrimin e hapsirave të lira në qytet në parqe më të vogla.

Kujtojmë se Tetova që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, kjo është ndër arsyet e kaosit urbanistik në qytet.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami disa herë ka thënë se me Planin e ri Gjeneral Urbanistik, i cili pritet të miratohet këtë vit, qyteti do të ketë park, por kjo nuk dihet se kur konkretisht do të zbatohet në terren.

Kasami në të kaluarën ka premtuar edhe zgjerimin e hapsirave të gjelbra, por kjo nuk u realizua siç ai e premtoi.

Në vitin 2022 u hodhën dy ide për krijimin e parkut të qytetit. E para në hyrje të qytetit nga ana e Shkupit, dhe e dyta për shndërrimin e Kazermës në park, por asnjëra nuk u realizua.