Mbaroi afati, u paraqitën dy kandidatë për anëtarë në KSHZ

Abdush Demiri dhe Zulfi Adili janë kandidatë për anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Propozim lista tashmë është dorëzuar dhe pritet që Komisioni për zgjedhje dhe emërime ta konfirmojë kandidatin, njoftuan pasdite nga Kuvendi.

Abdush Demiri është përkrahur nga koalicioni i opozitës shqiptare, Lidhja Evropiane për Ndryshim, informoi sot deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini, pjesë e këtij koalicioni.

Kandidati Zulfi Adili, megjithatë, është përkrahur nga Partia Demokratike Evropiane, kryetar i së cilës është Arianit Hoxha.

“Konsiderojmë se ky kandidat mund ta ushtrojë atë funksion, sipas të gjitha rregullave ligjore”, tha Hoxha në deklaratë për MIA-n.

Skender Rexhepi-Zejd, kryetar i Lëvizjes Populli, nuk ka përkrahur asnjë kandidat, ndërsa në deklaratë për MIA-n tha se kanë vlerësuar se askush nga kandidatët e propozuar nuk ka qenë i përshtatshëm.

Komisioni për zgjedhje dhe emërime përcaktoi listën prej pesë kandidatësh nga të cilët duhet të zgjidhet anëtari i KSHZ-së, përkatësisht – Berat Dauti, jurist i diplomuar nga Tetova, Abdush Demiri, ekonomist i diplomuar nga Tetova, Robert Trajkovski, magjistër në paqe dhe zhvillim nga Kumanova, Zulfi Adili, jurist i diplomuar nga Shkupi dhe Samir Rakipi, jurist i diplomuar nga Tetova.

Anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve zgjedhet me shumicë prej dy të tretave.

Pas emërimit të Krenar Llogës për ministër të Drejtësisë është liruar një vend në KSHZ.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi më 14 dhjetor te kryetarët e partive opozitare shqiptare Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Bilall Kasami, Arjanit Hoxha dhe Skender Rexhepi Zejd e dërgoi Raportin e Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve me listë të vërtetuar të kandidatëve për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Ata deri më 18 dhjetor kanë pasur mundësi të dërgojnë kandidatët për anëtar të Komisionit.

Kujtojmë se partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.

Kovaçevski tha se 100 ditë para zgjedhjeve ose më 28 janar do të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.