Satki Ismaili: Kemi kriteret të reja për vlerësimin e nxënësve, ditar të ri elektronik dhe reforma të tjera (Intervistë)

Nxënësi më nuk duhet vetëm të lexojë rrjedhshëm që të vlerësohet me pesë, por atë që e lexon duhet të dijë ta shpjegojë, kështu thotë arsimtari i shkollës fillore të Tetovës “Kirili dhe Metodij”, Satki Ismaili në një intervistë për Portalb.mk, në të cilën flet për ndryshimet në procesin mësimor. Ismaili, thotë se përveç ditarit të ri elektronik, po mbahen dhe do të mbahen edhe trajnime për mësimdhënësit me qëllim që të jenë të përgatitur për reformat në procesin arsimor.

Intervistoi: Arbnora Miftari

Portalb: Nevoja për reforma në arsim ka qenë gjithmonë e dukshme, por nuk duhet të anashkalohet fakti se në arsimin fillor gjatë dekadës së fundit janë bërë relativisht shumë ndryshime. A nuk mendoni se kjo mund të dëmtojë produktivitetin e mësimdhënësve, duke ua shterë atyre motivin për punë?

Satki Ismaili: Është shumë gjendje e kuptueshme kjo po këto reforma vijnë nga statistikat e rezultateve të reformave paraprake. Përderisa nuk ka përmirësim të aftësive të fituara të nxënësve atëherë patjetër të provojmë qasje të reja, sepse teksa bëjmë rezistencë ndaj ndryshimeve sepse jemi mësuar me mënyrat tona të vjetra, gjenerata nxënësish kalojnë dhe arsimimi i tyre nuk ribëhet.

Bie fjala një periudhë i kemi pasur programet e Kembrixhit, që zgjatën një periudhë gjashtë – shtatë vjet, mirëpo çka ndodhën? Mosadaptimi i programeve mësimore me librat, u tregua diçka që nuk bie rezultat. Edhe nëse nuk ka pat rënie në diçka, përsëri nuk ka pat ngritje, nëse shkojnë pesë vite, dhjetë vite dhe nuk kemi rritje në rezultate atëherë do të thotë një reformë s’është e dobishme.

Portalb: Çfarë kriteresh vlerësimi për nxënësit parashikon koncepti i ri?

Satki Ismaili: Në mars të vitit 2021 është përpiluar dokumenti, “Standardet nacionale për të arriturat e nxënësve me mbarimin e arsimit fillor”, i cili ka të bëjë me tetë fusha, ku tek ato tetë fusha kërkon që me mbarimin e arsimit fillor çka duhet të dijë nxënësi. Do të thotë cilët janë njohuritë, dituritë, shkathtësitë dhe qëndrimet e nxënësit. Nuk mund unë të tregoj sot për sot e notova nxënësin, mori pesëshe e kështu me radhë. Atyre u intereson se cilët janë të arriturat finale. Jo vetëm a di fëmija të lexojë, se ne e bëjmë një vlerësim se nxënësi lexon për mrekulli, po a dinë të gjithë nxënësit atë që e lexojnë ta tregojnë çka kanë lexuar? Kërkesa tjetër, a di nxënësi atë që e lexon t’i japë një këndvështrim kritik? Kërkohet që nxënësit të dinë atë që e mësojnë edhe ta zbatojnë.

Portalb: Prej këtij viti do të ketë ditar të ri elektronik dhe sistem EMIS, çfarë të reja do të ketë?

Satki Ismaili: Këtë vit shkollor po bëhen edhe ndryshime të tjera, e jo vetëm në ditarin elektronik, ta kuptojmë më qartë, për sa i përket EMIS-it. Sistemi EMIS është bazë softuerike për të dhënat e mësimdhënësve dhe të punësuarve të tjerë si dhe të nxënësve në institucionet shkollore, ku bën pjesë dhe ditari elektronik. Ky i fundit ka të bëjë me të dhënat në lidhje me aktivitetet që i realizojnë mësimdhënësit, vlerësimet si dhe informatat tjera për nxënësit që i përcjellin edhe prindërit e tyre. Sistemi EMIS si bazë e këtyre të dhënave këtë vit është përsosur në aspektin e infrastrukturës harduerike dhe softuerike. Në korniza të këtij sistemi funksionon edhe ditari elektronik ku për shkak të reformave në arsimin fillor me konceptin e ri si dhe mangësive të funksionimit kualitativ në të kaluarën, në ditarin elektronik po bëhen ndryshime pozitive të cilat kërkojnë edhe afate pilotimi. Për këtë arsye në nivel shtetëror janë angazhuar 40 administratorë të cilët do të trajnohen për ndryshimet në ditarin elektronik e të cilët më pas do të realizojnë trajnime me administratorët shkollorë që e njëjta të përcillet te mësimdhënësit e shkollave.

Sfidë kryesore në kërkesat e konceptit të ri është se tani gjatë vitit shkollor ka lëndë mësimore që zhvillohen me module me integrim ndër-lëndor që mësimdhënia realizohet në periudha të caktuara kohore ose vetëm një gjysëmëvjetor. Shembull në gjysmëvjetorin e parë nxënësi mund të zgjedh një lëndë zgjedhore e në gjysmëvjetorin e dytë një tjetër. Te ditari i ri rregullohet mënyra sesi do të shënohen orët, vlerësimi si do të bëhet për këto lëndë nëse veçmas do ta bëjë vlerësimin sumativ secili mësimdhënës. Ditari i vjetër elektronik këto mundësi nuk t’i jep.

Portalb: A do të ketë sanksione për mësimdhënësit që nuk do ta përdorin si duhet sistemin e ri?

Satki Ismaili: Jo nuk ka ashtu presione dhe s’do të ketë. Kur do të vijë ditari i ri paraprakisht garant do të ketë trajnime për administratorët shkollorë, administratorët shkollorë pastaj do të mbajnë trajnime me gjithë mësimdhënësit brenda shkollës. Pasi të mësojnë mësimdhënësit atëherë do të nis realizimi e kur realizohet diçka ka lëshime, po s’ka dënime në atë aspekt. Mirëpo ekziston edhe neglizhenca e mësimdhënësve: Nëse një mësimdhënës brenda dy – tre muajve asnjë të dhënë nuk ka për orët mësimore, nuk është në rregull, nuk është në rregull të mos i evidentojë aktivitetet që i ka realizuar. A duhet të gjithë ta zbatojmë? Po duhet, jo “unë nuk di ta bëj”.

Më pastaj, do ketë trajnime edhe me prindërit. Kujdestarët e klasave do të ua përcjellin prindërve mënyrën e qasjes te ditari elektronik, profilet, e-mailat, etj. Të mundësohet sa më tepër prindër të kyçen. Mos të kënaqemi me thënien “më mirë mos na përcjell askush në ditarin elektronik që t’i shohë aktivitetet e mia”, po është krenari të thuash sa shumë më përcjellin. Për veten time jam më krenar kur e përcjellin punën time sa më shumë nxënës dhe prind, ku të kisha fatin në klasë të hyjnë edhe prindërit të më shikojnë si e realizojmë procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

trajnim, mesimdhenes, satki ismaili
Satki Ismaili në një prej trajnimeve për zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve. Fotoja e marrë nga faqja e tij në Facebook

Portalb: Që mësimdhënësit ta përvetësojnë sa më shpejtë sistemin e ri, përveç trajnimeve që do të mbahen kur të vijë koha, ato tani kanë mundësi të zhvillohen në shumë sfera që do t’u ndihmojnë në adaptimin me këto reforma. Si dhe kush i organizon këto trajnime?

Satki Ismaili: Secili mësimdhënës në fillim të vitit shkollor obligohet që ta përgatitë planin për zhvillim individual profesional, ku i planifikojmë kompetencat që duhet t’i zhvillojmë gjatë vitit shkollor dhe zakonisht na jepet mundësi të zgjedhim 2 deri në 3 kompetenca. Pastaj çdo shkollë ka ekip për zhvillim profesional, e tani, ekipi për zhvillim profesional i shqyrton këto programe dhe planifikimet, dhe vëren secili mësimdhënës çfarë kërkesash ka, cilat kompetenca do t’i zhvillojë. Varësisht prej kësaj, shkolla obligohet të sigurojë trajnime. Ato trajnime mund të jenë të brendshme ose mund të jenë të jashtme. Këto janë trajnime që dikush i realizon e i paguan, i bën Unioni Evropian dhe IPA fondet në bashkëpunim me MASh, Byronë e Zhvillimit të Arsimit, Qendrën për Provimet Shtetërore, Inspektoratin e Arsimit, këto nuk janë punë kot e kot, këto janë investime të mëdha që bëhen për një arsim kualitativ, sepse nuk duhet ndryshimi të kërkohet vetëm nga nxënësit.

Portalb: Si do të bëhen planprogramet mësimore ?

Satki Ismaili: Programet mësimore janë dhënë, i përgatitin ekspertë të Byrosë me grupe të punës, realizimi i tyre, dhe planifikimi si do ta bëjë realizimin, e bëjnë mësimdhënësit. Për ta bë një planifikim për realizimin e planit mësimor duhet kohë dhe duhet përkushtim. E kjo është mirë të bëhet nëpërmjet të aktiveve profesionale në shkollë: nga dy-tre mësimdhënës të lëndës së njëjtë. Pastaj një modifikim, një përpunim ndryshe, e bën mësimdhënësi.

Portalb: Çfarë tregojnë statistikat për cilësinë e arsimit në RMV?

Satki Ismaili: Dhjetë vitet e fundit vlerësimet tregojnë se kemi rritje të notave në mesataret në pjesën dërrmuese të lëndëve, si në arsimin fillor e si në të mesëm. Ka edhe njohës ndërkombëtar të cilët për vlerësimin në Maqedoninë e Veriut, në një konferencë me sa e di njëri tha se kështu si po vazhdon situata në Maqedoninë e Veriut me vlerësimin, do të vijë një kohë, për një periudhë shumë të shkurtë, ku nuk do ketë nevojë për vlerësim se çdo nxënës do të ketë notën pesëshe. Ndërsa hulumtimet ndërkombëtare, qoftë PIRLS, TIMSS apo PISA, tregojnë se mbetemi poshtë, nuk korrespondon njohuritë që nxënësi i tregon se i ka me vlerësimin në notë që i është bë.

Portalb: Po duke qenë se janë mbajtur dhe po mbahen kaq shumë trajnime, pse akoma nuk ka zhvillim të dukshëm në mësimdhënie?

Satki Ismaili: Unë jam kritik edhe vetëkritik, nuk jam nga ato që gjithmonë në spiralen e fajësimit fajësoj nxënësit, prindërit, institucionet. Në trajnimet e kaluara që u mbajtën brenda këtij muaji, një numër i madh i mësimdhënësve zgjedhin trajnime jo konform kompetencave që duhet t’i zhvillojnë. Byroja e Zhvillimit të Arsimit të jep mundësi t’i të zgjedhësh çka të duhet të ndjekësh, e nëse në një shkollë, 70 mësimdhënës kanë aplikuar për të njëjtin program, ku shkojnë krejt. Kjo është pak ajo që nuk i kapim punët seriozisht. Mirëpo nëse çdo mësimdhënës për tre vite obligohet me ligj se duhet të ndjekë 60 orë trajnimi e një trajnim duhet të zgjat tetë orë, tash paramendo me 60 orë trajnime edhe mos kesh asnjë dobi? Unë po ju tregoj se personalisht vetë thellësisht i ndjek, e unë edhe dy vjet dal në pension, po jam i mendimit se duhet të gjithë të ndryshojmë po ndryshimet nisin nga vetja.

Portalb: A kemi mjaftueshëm resurse financiare për ndryshime të këtij niveli të arsimit?

Satki Ismaili: Ne ndjekim edhe reagimet e mësimdhënësve për këtë problematikë. Ka nevojë që secili mësimdhënës të ketë nga një laptop individual e këto kërkesa janë që Ministria të mundëson diçka të tillë, po tash krejt është çështje e komunave, varet nga buxhetet komunale, buxhetet shkollore. Shkollat, pjesa dërrmuese kanë kompjuterë po janë stërvjetëruar. Për fat të keq, ka edhe shkolla që s’i kanë as këto e ka edhe shkolla me të cilat mburremi, mirëpo mund t’i kesh programet shumë të mira, koncepti të jetë i mrekullueshëm, po nëse nuk ke një mësimdhënës kreativ, me kompetenca profesionale që i zhvillon në vazhdimësi, e kotë është. Në Maqedoninë e Veriut i kemi të gjitha kategoritë.

Portalb: Si e shihni rezultatin e reformave në arsim me konceptit e ri?

Satki Ismaili: Do t’i kalojmë edhe këto sfida po duhet të kemi pak energji pozitive dhe përkushtim. Hulumtimet e fundit kanë treguar se stresi te klasët e treta – të katërta është rrit, por është rrit edhe te mësimdhënësit. Duhet mësimdhënësi të kuptojë mënyrat se si e shprehën ankthin dhe stresin fëmija, mirëpo edhe mësimdhënësi nëse gjithmonë e ka një energji negative ndaj gjithë proceseve, atëherë do të thotë ka diçka që s’është në rregull”, tha ai.