Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të miratohet me “Badenter të vogël”
Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ka vendosur që procedura për miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”. Vendimi u mbështet nga 11 anëtarë të komitetit, ndërsa dy votuan kundër, transmeton Portalb.mk.
Gjatë diskutimit u paraqit edhe një propozim alternativ nga deputetë të opozitës shqiptare, Frontit Evropian dhe Lidhjes së Shqiptarëve, të cilët kërkuan që ligji të kalojë me mekanizmin e ashtuquajtur “Badenter absolut”. Ky model parashikon mbështetjen e shumicës së përgjithshme të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë etnike që nuk janë shumicë në vend.
Megjithatë, kjo iniciativë nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave dhe për pasojë nuk u pranua nga komiteti. Me këtë, si bazë për procedurën e mëtejshme mbetet varianti i miratuar nga shumica e anëtarëve të trupit parlamentar.
Partitë opozitare shqiptare kritikuan zgjidhjen ligjore, duke theksuar se ajo nuk parashikon kuota dhe as mekanizma të qartë kontrolli për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Sipas tyre, kjo mund të ketë pasoja afatgjata dhe cenon një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Kushtetutës së vendit.
Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe deputeti i komunitetit turk, Sali Murati, i cili vlerësoi se zgjidhja e propozuar nuk është e favorshme as për komunitetet e tjera etnike në vend.
Deputetët e Lidhjes së Shqiptarëve, Ilire Dauti dhe Ziadin Sela, kërkuan që në procedurë të shqyrtohet dhe të votohet propozim-ligji i tyre për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, kujtoi se edhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ishte miratuar me “Badenter të vogël” dhe se kjo nuk kishte shkaktuar kundërshtime në atë kohë. Ai tha se në listën e ligjeve që miratohen me mekanizmin Badenter janë rreth 115 ligje, shumica prej të cilave kalojnë me “Badenter të madh”.
Qoku sqaroi se para votimit të ligjit ishte vendosur që ai të kalojë në filtrin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, me qëllim që të dëgjohet qëndrimi i deputetëve të komuniteteve joshumicë.
“Badenteri i vogël” është një mekanizëm parlamentar që kërkon shumicën e votave të deputetëve të pranishëm që u përkasin bashkësive joshumicë për miratimin e ligjeve të caktuara.
Sipas propozuesve, qëllimi kryesor i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është krijimi i një kornize të qartë, të saktë dhe të zbatueshme ligjore për realizimin e një prej parimeve themelore të rendit kushtetues – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë në organet shtetërore dhe institucionet publike.
Ligji synon të sigurojë zbatim të qëndrueshëm të këtij parimi përmes rregullave dhe mekanizmave të qartë, duke garantuar qasje të barabartë në punësim dhe avancim, si dhe procedura të drejta dhe transparente në sektorin publik. Njëkohësisht, synohet të arrihet një ekuilibër mes përfaqësimit të komuniteteve dhe nevojës për një administratë profesionale, efikase dhe politikisht neutrale.
Projektligji aktualisht ndodhet në lexim të parë dhe procedohet me procedurë të rregullt parlamentare. Sipas paralajmërimeve, para miratimit përfundimtar do të organizohet edhe debat publik.
Ligji qeveritar, i miratuar më 7 prill dhe i dorëzuar në Kuvend më 8 maj, parasheh mekanizma institucionalë për garantimin e përfaqësimit të drejtë, përfshirë edhe krijimin e një trupi koordinues për monitorimin e zbatimit të tij.
- LEXO: Pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u bë publik (dokument)
- LEXO: Në Kuvendin e RMV-së arriti propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, por akoma nuk është publik
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.