Lulzime Osmani: Piktura e ka fuqinë të shprehë emocione që shpesh janë të pamundura të përshkruhen me fjalë
Në një botë ku ritmi i jetës bëhet gjithnjë e më i shpejtë, arti mbetet një nga format më të fuqishme të reflektimit dhe komunikimit. Piktorja Lulzime Lulu Osmani është një nga emrat që përmes ngjyrave dhe kompozimeve të saj sjell emocione, mesazhe dhe rrëfime që tejkalojnë kufijtë e fjalës. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli për frymëzimin që buron nga përjetimet personale dhe realiteti shoqëror, sfidat e artistëve në skenën ndërkombëtare, si dhe për rolin që arti vazhdon të luajë në formësimin e vetëdijes dhe perceptimit të shoqërisë.
Portalb.mk: Arti shpesh lind nga përjetimet e forta. Sa ndikojnë realiteti, sfidat shoqërore dhe përvojat personale në procesin tuaj krijues?
Lulzime Osmani: Në realitetin që jetojmë përjetimet personale, sfidat shoqërore dhe emocionet e përditshme ndikojnë drejtpërdrejt në procesin tim krijues, duke u shndërruar në ngjyra, forma dhe simbolika. Çdo vepër mbart një pjesë të përvojës sime, por njëkohësisht synon të komunikojë me përvojat dhe ndjenjat universale të njerëzve. Pikërisht nga ky ndërveprim mes jetës dhe artit lind frymëzimi që e ushqen krijimtarinë time.
Portalb.mk: Çfarë mund të shprehë piktura që, sipas jush, nuk mund të thuhet me fjalë?
Lulzime Osmani: Piktura ka fuqinë të shprehë emocione, gjendje shpirtërore dhe ndjesi që shpesh janë të vështira ose të pamundura të përshkruhen me fjalë. Një ngjyrë, një vijë apo një kompozim mund të përcjellë qetësi, dhimbje, mall, gëzim apo shpresë në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe personale. Arti vizual i lejon secilit ta përjetojë veprën sipas botës së vet të brendshme, duke krijuar një komunikim të heshtur, por jashtëzakonisht të fuqishëm.
Portalb.mk: Në një kohë kur gjithçka po bëhet më e shpejtë dhe më digjitale, a e ka humbur publiku durimin për ta lexuar dhe kuptuar artin pamor?
Lulzime Osmani: Jetojmë në një kohë ku ritmi i jetës është shumë i shpejtë dhe vëmendja shpesh shpërndahet mes shumë informacionesh. Megjithatë, nuk besoj se publiku e ka humbur durimin për ta kuptuar artin pamor. Përkundrazi, arti mbetet një nga hapësirat e pakta ku njeriu mund të ndalet, të reflektojë dhe të krijojë një dialog me vetveten. Është e vërtetë që mënyra e konsumimit të artit ka ndryshuar, por nevoja për emocion, estetikë dhe kuptim mbetet e njëjtë. Sfida jonë si artistë është të krijojmë vepra që tërheqin vëmendjen dhe ftojnë publikun të ndalet për një moment në mes të kësaj bote të shpejtë.

Portalb.mk: Kur veprat tuaja ekspozohen jashtë vendit, sa e rëndësishme është për ju që përmes artit të prezantohet edhe kultura dhe identiteti ynë?
Lulzime Osmani: Kur veprat e mia ekspozohen jashtë vendit, e ndiej si një përgjegjësi dhe një privilegj të prezantoj jo vetëm krijimtarinë time personale, por edhe kulturën dhe identitetin nga vij. Edhe kur temat e veprave janë universale, rrënjët, traditat, kujtesa kolektive dhe përvoja kulturore janë gjithmonë të pranishme në mënyrë të natyrshme në procesin krijues. Arti është një urë komunikimi mes popujve dhe kulturave, prandaj e vlerësoj çdo mundësi që përmes veprave të mia të promovoj vlerat, historinë dhe pasurinë shpirtërore të vendit tonë në skenën ndërkombëtare.
Portalb.mk: Sa e vështirë është për një artiste nga Maqedonia e Veriut të depërtojë në skenën ndërkombëtare të artit dhe cilat janë pengesat më të mëdha?
Lulzime Osmani: Për një artiste nga Maqedonia e Veriut, depërtimi në skenën ndërkombëtare të artit kërkon shumë përkushtim, këmbëngulje dhe punë të vazhdueshme. Sfida më e madhe shpesh nuk lidhet me cilësinë e artit, por me mundësitë e kufizuara për promovim, rrjetëzim profesional dhe qasje në tregjet e mëdha artistike. Gjithashtu, artistët nga vendet më të vogla duhet të bëjnë përpjekje shtesë për të qenë të dukshëm në një skenë globale shumë konkurruese. Megjithatë, arti nuk njeh kufij. Me punë serioze, pjesëmarrje në ekspozita ndërkombëtare, koloni artistike dhe bashkëpunime kulturore, këto pengesa mund të kapërcehen. Besoj se autenticiteti, identiteti artistik dhe qëndrueshmëria janë faktorët që e bëjnë një artist të vlerësohet kudo në botë.
Portalb.mk: A mendoni se arti ka ende fuqinë të ndikojë në mënyrën si njerëzit mendojnë dhe e shohin shoqërinë, apo sot ai po mbetet gjithnjë e më shumë vetëm një përvojë estetike?
Lulzime Osmani: Arti nuk është vetëm një përvojë estetike, ai është një formë komunikimi që ka fuqinë të sfidojë mendime, të zgjojë emocione dhe të hapë perspektiva të reja. Ndoshta sot jetojmë në një kohë të mbushur me informacion të shpejtë, por pikërisht për këtë arsye arti bëhet edhe më i rëndësishëm. Ai na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe të shohim përtej asaj që duket në sipërfaqe. Një vepër arti mund të mos ndryshojë menjëherë botën, por mund të ndryshojë mënyrën se si një individ e sheh atë, dhe çdo ndryshim i madh fillon pikërisht nga kjo. Për mua, vlera më e madhe e artit qëndron në aftësinë e tij për të krijuar vetëdije, empati dhe dialog mes njerëzve.
