Me cilat shtete Serbia shkëmben të dhëna sekrete, Maqedonia e Veriut a është e përfshirë në këtë listë?
Beogradi zyrtar ka marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete me më shumë se 20 shtete dhe organizata ndërkombëtare, raporton Radio Evropa e Lirë. Izraeli është një tjetër vend me të cilin Serbia ka marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete.
Dokumenti me Tel Avivin është një nga të rrallët që është qartazi i fokusuar në informacionet në fushën e mbrojtjes.
Marrëveshje të tilla janë hapi i parë drejt importit të teknologjisë së sofistikuar ushtarake, thotë eksperti i sigurisë, Nikolla Lluniq.
Me kë ka Serbia marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete?
Shkëmbimi i të dhënave sekrete me shtete të tjera në Serbi parashihet me ligj, por vetëm nëse ekzistojnë marrëveshje dypalëshe të nënshkruara.
Dokumente të tilla Beogradi ka që nga viti 2011 me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të tij, me Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë, si dhe me shtetet fqinje: Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Hungarinë.
Po ashtu, me marrëveshje të tilla mbrohen raportet konfidenciale që shkëmbejnë ministritë e jashtme të shteteve, sekretet afariste në projekte strategjike si energjetika dhe infrastruktura, si dhe të dhënat në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare.
E tillë është, për shembull, marrëveshja me BE-në, e nënshkruar më 2011, gjatë qeverisjes së mëparshme të demokratëve.
Ajo mundëson bashkëpunimin në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe qasjen në të dhëna të rëndësishme për reformën e sektorit të sigurisë dhe drejtësisë. Marrëveshje të ngjashme ka edhe me Slloveninë, Çekinë, Spanjën, Rumaninë dhe Luksemburgun.
Në marrëveshjen mes Francës dhe Serbisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete, të vitit 2018, thuhet se qëllimi është përcaktimi i rregullave të sigurisë që mund të zbatohen në të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit.