Më 28 shkurt Kuvendi i RMV-së pritet sërish ta miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit, presidenti s’mund ta bllokojë

Më 28 shkurt Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet ta miratojë në lexim të tretë Ligjin për Lojërat e Fatit, i cili nuk hyri në fuqi pasi nuk e nënshkroi presidenti Pendarovski. Nëse votohet në lexim të tretë, presidenti detyrohet që ta nënshkruajë ligjin pavarësisht nëse pajtohet ose jo me të njëjtin, shkruan Portalb.mk.

Nënkryetari dhe zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi sot deklaroi se pret që më 28 shkurt në Kuvend të miratohet Ligji për lojërat e fatit, i cili paraprakisht nuk u nënshkrua nga presidenti Pendarovski, nën arsyetimin e vërejtjeve serioze të BE-së për keqpërdorimin e mundësisë për miratimin e ligjeve me flamurin evropian në procedurë të shkurtuar.

“Më 28 shkurt është parashikuar seancë në Kuvend, ajo është java e ardhshme ku pikë në rend dite është mu ky ligj dhe pres që deputetët do të jenë nga ana e qytetarëve, por edhe në anën e Lëvizjes Antibixhoz. Mjaft është me kazino dhe bastore në çdo cep dhe gjithkund edhe në oborret e shkollave. Unë vetëm një mund të ju them se sipas kornizës ligjore më së voni në afat prej 30 ditësh Kuvendi sërish duhet të deklarohet për propozim-ligjin. Tanimë po marrim mbështetje nga të gjithë deputetët dhe me shumicë absolute, me 61 vota pres të votohet në lexim të tretë do të miratohet ky ligj dhe kështu do ta mbrojnë interesin e qytetarëve”, tha Ademi.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, nëse Presidenti i Republikës vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi e rishqyrton ligjin në fazën e leximit të tretë, në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit.

Gjatë rishqyrtimit të ligjit, amendamente mund të parashtrohen vetëm në lidhje me sugjerimet e Presidentit të Republikës.

Pasi të kalojë leximi i tretë, ligji i miratuar dërgohet te Presidenti i Republikës dhe i njëjti obligohet ta nëshkruaj.

Sipas propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i miratuar me 7 shkurt nga Kuvendi i RMV-së, lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet deri më tani nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.