Pendarovski: Nëse deputetët e kalojnë Ligjin e lojërave të fatit me 61 vota, sot do ta nënshkruaj

Pasi dje vendosi të mos e nënshkruajë Dekretin për ndryshimet në Ligjin e lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese të cilin Kuvendi e miratoi me 7 shkurt në procedurë të shkurtuar, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski sot nga Tetova theksoi se kështu ka vepruar për shkak të seriozitetit të indikacioneve të BE-së se po keqpërdoret mundësia për miratimin e ligjeve me flamurin evropian në procedurë të shkurtuar. Ai thotë se ky ligj duhet të shkojë me procedurë të rregullt. Antibixhozi i zhgënjyer nga presidenti, kritikuan edhe nga Më Mirë për Tetovën, ndërsa BDI-ja e konsideron vendim për keqardhje nga presidenti, raporton Portalb.mk.

Pendarovski theksoi se nëse deputetët debatojnë sërish dhe e kalojnë me 61 vota pro, atëherë do të nënshkruajë Ligjin e ndryshuar për lojërat e fatit.

“Para një muaji Komisioni Evropian, domethënë Bashkimi Evropian, i dërgoi letër Qeverisë nga Brukseli. Dhe thotë në procedurën e kuvendit keni një ligj që praktikisht abuzon me flamurin evropian, sepse nuk ka një direktivë të tillë evropiane. Mirëpo, deputetët e kaluan atë ligj. Para disa ditësh më erdhi ambasadori evropian dhe më tha, ky është një tjetër abuzim në një seri të flamurit evropian, që askush nuk e konteston nëse ligji është i mirë apo i keq”, tha Pendarovski.

Lëvizja Antibixhoz. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Lëvizja Antibixhoz. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Kryetar, mirë se vjen në Tetova Vegas”, kështu reaguan sot nga Lëvizja Antibixhoz me rastin e vizitës së Pendarovskit në Tetovë.

“Jemi totalisht të zhgënjyer, ndjehemi të tradhtuar nga veprimi juaj për mos dekretimin e propozim ligjit për lojërat e fatit duke mbrojtur krimin dhe kriminelët duke lejuar ngufatje nga epshi i krimit dhe vjedhjen klasike që i bëhet qytetarit. Me veprimin tuaj, gjoja keqpërdorimin e flamurit Evropian ju e legalizuat pastrimin e parave të pista dhe ne emër të standardeve evropiane mbroni kapitale të dyshimta të cilët e kanë zaptuar vendin tonë”, thanë nga Lëvizja Antibixhoz.

Më Mirë për Tetovën. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Arkiva)
Më Mirë për Tetovën. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Arkiva)

Nisma qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT), thekson se arsyetimi se ky ligj nuk përputhet me ligjet e Bashkimit Evropian nuk mban, pasi siç thonë Pendarovski pa asnjë hezitim nënshkroi dekretin e Kodit Penal me flamur të BE-së.

“Në qoftë se interesat e qytetarëve janë në radhë të parë, plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit duhet të votohen përsëri në kuvend, me çka nuk do të nevojitet miratimi nga Presidenti Pendarovski. Përderisa praktikohen standarde të dyfishta për nënshkrimin e ligjeve të rëndësishëm për drejtësinë dhe mirëqenien sociale të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, supozojmë që vetë iniciativa për miratim të shpejtë të këtij ligji është pjesë e kalkulimeve parazgjedhore për poena politike”, theksojnë nga MMPT.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) doli kundër Pendarovskit, thonë se presidenti këtë ligj e hodhi në shportën e plehrave dhe se zgjodhi anën e bastoreve dhe kazinove.

“Arsyetimin se qenka “keqpërdorur” flamuri evropian për miratimin e ligjit është përrallë mbas darke, imagjinoni, s’paska pasur vërejtje për përmbajtjen por për procedurën. Nuk dorëzohemi nga kjo betejë dhe jemi të bindur se të gjithë deputetët me ndërgjegje të pastër janë në anën kundër bastoreve dhe kazinove”, thanë nga BDI.

Sipas propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i miratuar me 7 shkurt nga Kuvendi i RMV-së, lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet deri më tani nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.