Antibixhozi: Ligji për lojërat e fatit nuk e zgjidh problemin, do të angazhohemi deri në mbyllen e plotë

Edhe përkundër miratimit të Ligjit për lojërat e fatit para dy ditëve nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, Lëvizja Antibixhoz nuk është e kënaqur me këtë ligj. Sipas tyre, ligji nuk zgjidh problemin në tërësi siç kërkojnë ata. Thonë se numri i vogël i votave të deputetëve tregon se diçka nuk shkon, dhe se do të angazhohen që këto objekte të mbyllen në tërësi, shkruan Portalb.mk.

Jushi Emurllai nga kjo lëvizje tha se janë të vetëdijshëm që ky ligj nuk e zgjidh problemin në tërësi siç kërkohet nga Lëvizja Antibixhoz për mirëqenien e qytetarit.

“Besojmë se është një fillim i mbarë për të luftuar këtë fenomen negativ, për herë të parë përmendet një distancë që do të ndikojë ndjeshëm në mbrojtjen e fëmijëve tanë dhe familjeve tona…Mbetet të shihet se si do të zbatohet dhe sa serioze do të jenë këto ndryshime”, tha Emurllai.

Lëvizja Anzibixhoz thekson se do të vazhdojnë të angazhohen në të ardhmen deri në zhdukjen e këtij vesi të keq dhe do vazhdojnë të bëjmë betejën për mbrojtje nga grabitja klasike që i bëhet qytetarit deri në mbylljen e plotë të tyre. Numri i vogël i votave për miratimin e këtij ligji është tregues i qartë se diçka nuk funksionon.

“Mos të mendojmë se numri i objekteve të bixhozit nuk është kusht për anëtarësim në BE”, tha Emurllai.

Ata kërkojnë që lojërat e fatit të mbyllen si në shembullin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe të shihet praktika e këtyre dy vendeve.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 7 shkurt 2024 e miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese. Pro këtij ligji votuan 55 deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

Opozitarja VMRO-DPMNE kërkoi tërheqjen e tij, pasi sipas tyre, në Lotarinë e shtetit ka dyshime të mëdha për krim, është keqpërdorur flamuri evropian dhe kontestohet dhënia e katër licencave për lojërat e fatit.

Ndërkaq, Lidhja Evropiane për Ndryshim e përbërë nga tre partitë opozitare shqiptare (Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike) ishin të qëndrimit se distanca prej 500 metrave nga institucionet arsimore është vetëm hedhje hi syve për të fshehur dispozitat ligjore që “duhet t’i mundësojnë Artan Grubit të mbushë xhepat me para publike.”

Sipas Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Kundër këtij ligji doli dhe Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit dhe ai i Bastoreve të RMV-së. Ata madje disa herë kanë protestuar. Sipas tyre qëllimi i këtij ligji nuk është mbrojtja e të rinjve por mbyllja e kompanive legale vendore, ku më pas individë të caktuar të munden përmes faqeve të reja në internet me kompani të huaja të merren me këtë biznes. Sipas tyre, mbyllja e lojërave të fatit hap rrugën për zhvillimin e ekonomisë gri dhe se me mbylljen e këtillë, dhjetë mijë persona do të mbeten pa punë.

Edhe Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.