Më 23 janar në Shkup do të jepet premiera e filmit “Krejt e thirrin Rexhon”
Më 23 janar duke filluar nga ora 20:00 në Kinemanë Cineplexx në Shkup do të jepet premiera e filmit “Krejt e thirrin Rexhon”, me tekst nga Ibër Deari dhe Artin Selmani nën regji të Ibër Dearit. Filmi është realizuar në Fshatin Sllupkovë me një numër të madh të kastit të aktorëve, transmeton Portalb.mk.
“Fshati Po Zbrazet: Ku Janë të Rinjtë e Sllupkovës? Nga çdo 10 të rinj, 8 kanë ikur. Dikur plot jetë, sot Sllupkova është e heshtur. “Nuk ka punë, nuk ka shpresë”, thotë Rexho, një nga të paktët që ka mbetur.
Regjisori Ibër Deari për Portalb.mk tha se filmi “Krejt e thirrin Rexhon” tregon jetën e vetmuar të një punëtori që nuk ka ku t’i shmanget punës, në një fshat ku të gjithë të tjerët janë larguar.
“Të them të drejtën, filmi nuk ka një mesazh final të qartë, është më shumë një fotografi e një realiteti që jetojmë sot. Por, nëse duhet të përmbledh me pak fjalë se çfarë do të shohë publiku ose çfarë mund të marrë si mesazh indirekt, mund të them se filmi “Krejt e thirrin Rexhon” tregon jetën e vetmuar të një punëtori që nuk ka ku t’i shmanget punës, në një fshat ku të gjithë të tjerët janë larguar. Me humor dhe ironi, pasqyron barrën që mbetet mbi të vetëm dhe çfarë ndodh kur një fshat mbetet pa punëtorë. Një film për ata që mbetën, ata që ikën dhe ata që ende shpresojnë, Krejt e thirrin Rexhën nuk është një histori që përfundon në ekran është një histori që vazhdon brenda mendjeve dhe zemrave të atyre që e shikojnë”, tha Deari.

Deari tha se filmi është i financuar nga Agjencia e Filmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Projekti u fitua në vitin 2019, por për shkak të pandemisë COVID-19 ishte në pauzë për dy vite. Në fund të gushtit 2022 u realizuan xhirimet, ndërsa post-produksioni ka zgjatur dy vite. Tani, më në fund, jemi gati për premierën
Deari edhe më tej shtoi se me kastin e aktorëve kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyer.
“Me aktorët kam pasur një bashkëpunim fantastik, shumicën e tyre i kam pasur edhe më herët në projekte të tjera. Kishim një energji shumë të mirë gjatë xhirimeve, dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë kast aktorësh. Janë shumë autentikë dhe të vërtetë, dhe kjo ka ndikuar që personazhet të duken shumë të natyrshëm në film”, tha Deari.
Pas premierës në Shkup, filmi do të vazhdojë rrugëtimin e tij në Kosovë dhe Shqipëri.
Më 30 janar, ai do të shfaqet në Kosovë në Cineplexx Prishtinë, Cineplexx Prizren, Cinestar në Prishtina Mall, Kino Gjakova dhe Cinemarinë.
Në Tiranë, filmi do të shfaqet në Cineplexx TEG dhe Cineplexx QTU.