Më 14 dhjetor fjalët përfundimtare për aksidentin e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot u mbajt seancë gjyqësore për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit në shkurt të vitit 2019-të, gjatë së cilës 16 persona humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u lënduan. Prokurori, sot prezantoi akuzën, që siç tha, nuk ka ndryshim në kualifikimin juridik të veprës për të akuzuarit, por vetëm precizim të disa pjesëve të akuzës, të cilat, avokatët e të akuzuarve i quajtën ndryshime kozmetike, njofton Portalb.mk.

Gjykatësja e lëndës, Dijana Gruevska Ilievska, sot caktoi disa seanca për muajin dhjetor, ku prej datës 14, do të fillojnë palët t’i japin fjalët përfundimtare, pas çka do të vijojë dhe aktgjykimi.

Sipas praktikës, fillimisht Prokuroria duhet të deklarohet, ndërkaq pastaj vijojnë avokatët e gjashtë të akuzuarve.

“Me veprimet e tij, i akuzuari i parë Durmish Beluli ka kryer vepër penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion sipas nenit 300 paragrafi 2, në lidhje me nenin 397 paragrafi 2 të Kodit Penal; i akuzuari i dytë Remzi Miftari ka kryer vepër penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion sipas nenit 300 paragrafi 2, në lidhje me nenin 297 paragrafin 2 të Kodit Penal; të akuzuarit Igor Georgievski, Goran Dukovski dhe Jane Babarovski kanë kryer vepër penale Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion sipas nenit 300 paragrafi 2 në lidhje 299 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal; i akuzuari Manoil Trifunovski ka kryer vepër penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion sipas nenit 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 të Kodit Penal”, citoi prokurori Darko Jakimovski.

Precizimi, sipas prokurorit, është bërë në bazë të provave të paraqitura gjatë debatit kryesor, dhe në atë pjesë është saktësuar përshkrimi në pikëpamje të rrjedhës së kronologjisë dhe lëshimeve nga ana e të akuzuarve.

Pas leximit të prokurorit, gjykatësja theksoi duke e pasur parasysh se është bërë vetëm precizim dhe jo edhe rikualifikim juridik, gjykata nuk do t’i ftojë të akuzuarit që të deklarohen në lidhje me akuzën e precizuar.

Sasho Dukovski, avokat i njërit prej të akuzuarve, theksoi se precizimi i akuzës nuk sjell asgjë të re dhe vetëm se është humbur kohë.

“Nuk kishte nevojë për precizim të akuzës, ishte kualifikimi i njëjtë juridik, janë shtuar dy-tre rreshta – për herë të parë përmendet rrjedhje e vajit nga cilindri dhe tani vetëm për arsyet e njohura nga prokurori, thekson se përqindja e ngadalësimit prej 2,88 metër për sekondë ka qenë për shkak se frenat kanë qenë me efikasitet të tillë, megjithatë, ato janë ndryshime kozmetike, kualifikimi juridik është i njëjtë dhe për mua është humbje e panevojshme e një seance”, tha Dukovski, duke nënvizuar se aksidenti ka ndodhur vetëm për shkak të fajit të shoferit.

Njëri prej prindërve, i cili e ka humbur djalin e tij në aksident, Bllagojçe Trpeski, deklaroi se për aksidentin fajtorë janë të gjithë dhe për këtë duhet të ketë drejtësi.

“Shihej prej në avion se ekspertët e supereskerptizave dëshironin t’ia hidhnin fajin vetëm shoferit, jo se nuk ka shoferi faj. Sot i dëgjuat fjalët e prokurorit, kjo tregon se të gjithë janë të përfshirë në këtë aksident ku humbën jetën 16 persona, duke nisur nga pronari i Duro Tursit, kontrolluesit teknik të cilët e kanë lëshuar autobusin pa kontroll teknik. Për fat të keq tanimë 4 vite dhe po bëhen 5 presim drejtësi dhe drejtësia patjetër duhet të vijë në vend dhe ata që kanë gabuar të mbajnë përgjegjësi”, theksoi Trpeski.

Seanca e radhës do të mbahet më 14 dhjetor, ndërkaq seancat vijuese më 21 dhe 26 dhjetor.

Në lidhje me zgjedhjen e gjykatëses së dytë të lëndës, Aleksandra Risteska, për gjykatëse në Gjykatën e Apelit, me çka u përfol në media se mund të rrezikohet lënda të kthehet nga e para, Portalb.mk, bisedoi me disa prej avokatëve, të cilët theksuan se megjithatë nuk ka rrezik të tillë pasi që, derisa të bëhet betimi i gjykatëses pritet të ketë aktgjykim të shkallës së parë, por edhe nëse nuk ka, ekzistojnë mekanizma të cilat mund të përdoren që të vazhdojë gjykimin deri në shpalljen e aktgjykimit.

Superekspertizat, të favorshme për “Durmon”, i pakënaqur shoferi

Në seancat e kaluara para Gjykatës janë deklaruar ekipet e ekspertëve të cilët i kanë përgatitur superekspertizat e komunikacionit dhe të makinerisë. Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, pasi ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy superekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kanë hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.