Qeveria e RMV-së deri në fund të javës duhet të marrë masa për kategoritë e ndjeshme, zgjidhja për pensionin minimal do të presë
Sipas pritjeve të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, vendimi me të cilin do të rregullohet lartësia e pensionit minimal vështirë se do të merret deri në fund të këtij muaji. Arsyet për këtë, siç tha sot ministrja, është kompleksiteti i zgjidhjes, transmeton Portalb.mk.
Sa i përket pakos së masave për kategoritë vulnerabël, ku sipas paralajmërimeve duhet të përfshihen edhe një pjesë e pensionistëve, ajo duhet të shpallet deri në fund të kësaj jave, tha sot Trençevska.
“Jemi duke diskutuar edhe për masat që duhet të propozohen si Grup Punues, gjegjësisht i janë propozuar Qeverisë për të mbështetur sidomos pensionistët me pensione të ulëta dhe sigurisht po punohet edhe për zgjidhje sistematike për një projektligj, projektligj-dispozita për përcaktimin e pensionit minimal, por nuk pres që shumë shpejt, deri në fund të këtij muaji, të miratohet një lloj zgjidhjeje, sepse është ende një çështje komplekse që rregullon pensionin minimal. Grupi punues do të vazhdojë me punën e tij dhe presim që deri në fund të kësaj jave masat për të gjitha kategoritë e rrezikuara të qytetarëve të miratohen nga Qeveria”, tha Trençevska.
Trençevska nuk deshi, siç tha ajo, të përmnedë se cilët pensionistë do të mbulohen nga pakoja e masave, por thase me shumë mundësi do të jenë më të cenuarit, përkatësisht ata me pensionet më të ulëta.
“Sinqerisht, derisa të shpallen, nuk dua të përmend se cilat kategori pensionistësh do të mbulohen, por do të mbulohen një numër më i madh i pensionistëve dhe sigurisht do të mbulohen edhe kategoritë e tjera të rrezikuara të qytetarëve”, tha ministrja.
Kur të miratohen masat nga Qeveria, përveç se cilat kategori të qytetarëve do të mbulohen prej tyre, do të dihet edhe sa do të zgjasin.
“Do të shpallet sapo të pranohen masat, gjegjësisht miratohen në seancë të Qeverisë dhe besojmë se deri në fund të javës do të keni informacion për gjithçka që do të sjellë Qeveria si paketë e masave kundër krizës, cilat kategori qytetarësh do të mbulohen dhe për sa muaj do të jetë mbështetja”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale.
Pensionistët nga të gjitha anët e vendit në muajt e kaluar mbajtën tri protesta të mëdha në kryeqytet, ku parashtruan dy kërkesa kryesore – rritje lineare të pensioneve për 5.000 denarë dhe pension minimal prej 18.000 denarë.
Pas protestës së parë, në gusht, Trençevska njoftoi se pas takimit me Lidhjen e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, është marrë vendim për formimin e grupit punues i cili do të propozojë zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme për përcaktimin e shumës së pensionit minimal, por edhe për lloje të tjera masash për të ndihmuar dhe mbështetur pensionistët.
Protesta e dytë ishte më 20 shtator dhe e fundit më 7 nëntor, ku pensionistët nga të gjitha anët e vendit përsëritën kërkesat e tyre për rritjen e pensioneve.
Ndryshe, edhe pas protestës së parë të 14 gushtit në Shkup, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska vlerësoi se protestat e pensionistëve nuk ishin spontane dhe të vetëorganizuara, por se sipas saj, pas tyre qëndronte VMRO-DPMNE opozitare për të krijuar kaos në shoqëri.