MBULESA DHE PUBLIKJA (II)

Duke marrë parasysh trajtimin që i bën mbulesës, nga këndvështrimi i sociologjisë kritike, Göle akuzohet nga islamistët dhe lindoristët se, me syrin e modernistes apo orientalistes, po e paraqet mbulesën si privim (mahrûm/iyet), po e patologjizon këtë “çështje”, po krijon bazamentin për polemikat e ndalimit (Arıkan, 2023). Po ashtu, etiketohet edhe nga qarqet moderniste për sulm ndaj gruas moderne turke, e cila ka qenë shtytëse e “projektit civilizues kemalist”; për afirmimin e “mahremit”; herë të tjera shihet si apologjete e burkas si “fuqi e pakicës”. (Koray, 2010)

Çështja e mbulesës/shamisë, “debati mbi të cilën nuk përfundon kurrë” (syri.net, 2022), e pezhorativizuar si ferexhe, kohëve të fundit është aktual në rrafsh planetar (nga 2014: World Hijab Day). Natyrisht është debatuar edhe në trojet shqiptare, më fort në Kosovë, në të shumtën e rasteve duke iu qasur si orientalizim, e interpretuar nga qarqet ish-komuniste dhe shekullariste si lindorizim, si vonesë kulturore. Ndryshe nga mbulesa në “vendet islamike”, ku në këtë apo atë mënyrë mbrohet dhe nxitet edhe nga shteti, në trojet shqiptare ajo është punë indviduale, ndërkohë që bartësja e saj, femra e mbuluar vetaktualizohet aq sa punon dhe çan përpara në skenën sociale. Në mjediset tona, ekskomunikuesit e gruas me shami apo radikalistët laikë e harrojnë të vërtetën sociologjike, se ajo është pjesë integrale e identitetit shqiptar. Kjo duket qartë që nga kartolinat e vjetra të çarshive tona, nga xhirimet e hershme e deri te rrugët dhe sheshet e vendbanimeve shqiptare, ku ky element ruan vitalitetin e vet pavarësisht sfidave dhe agresivitetit të “agjentëve të emancipimit”, oksidentalizmit dhe perëndimorizimit.

Mbulesa është një çështje me aq peshë, saqë nuk mund të fshihemi mbas gishtit e ta injorojmë. Shpjegimet e tipit “shamia është shenjë robërie apo pengesë për emancipimin” janë  simpliste. Sot, femra e mbuluar shqiptare, në përgjithësi nuk është e pashkollë dhe as nuk rri më në shtëpi: ajo është juriste, aktiviste, psikologe, pedagoge, mjeke, deputete, hulumtuese dhe në të tjera pozita me përgjegjësi kritike shoqërore. Ndërkohë vazhdojnë edhe debatet brendamuslimane, se cila është mbulesa e vërtetë islame, duke shkuar nga skaji i asaj që është shndërruar në trend/modë (Durur, 2017), fashionizëm (Basha, 2016), hipermoderne (shumëngjyrëshe), shenjë mburrjeje e jo modesti e përkushtim ndaj Zotit, deri te tesettur-i apo hixhabi i zi (perçja, nikabi, xhilbabi, himari, burka) që shihet si element identifikues i një kategorie minore besimtaresh (prej 1990-s e këndej), që ndryshon nga mbulesa që dominon sot. Kjo pakicë vetëcilësohet si bartëse mbulesës së kohës profetike, apo si sunnah clothing. Është fakt se mbulesa islame ka evoluar (në vitet 1970 “hiram”, më pas “manto”, “kapotë”, “pardesy”, deri te mbulesat e sotme trench coat, “tunikë”, “shami” kombinuar me pantollona e xhinse), është mod(ë)ifikuar (markat: Tekbir, Armine, Kayra); është modernizuar, tjetërsuar skajshëm (shih revistën “Âlâ”); madje, sipas një shkrimtareje turke, sot ka mbetur shamia, jo mbulesa. (Şenlikoğlu, 2018)

Për vlerën e këtij punimi, ku Göle qëmton shndërrimin post-shekullar (Göle,  2012), duke vënë në qendër aktorin/subjektin me kritikën ndaj eurocentrizmit nga këndvështrimi i realitetit të identiteteve të reja islamiste, flet fakti se libri i saj është përkthyer në gjuhë si frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja dhe spanjishtja, duke i dhënë famë autores në këtë drejtim.

Në shqip vjen me një përkthim mjeshtëror të Verjon Fashos, i cili ka arritur ta sjellë në mënyrë autentike mesazhin dhe frymën e autores. Kujtojmë se ky libër, që shkon përtej klasikeve “mbulesa në Islam” apo “mbulesa islame”, do të ngjallë lexime, interpretime dhe debate nga më të ndryshmet për këtë pikë të ndjeshme të skenës-jetës shoqërore, që po fiton gjithnjë e më tepër dukshmëri, gati pas një shekulli qëndrimi në sferën private, duke sfiduar kështu kulturën materialiste dhe konsumeriste, si dhe duke nxitur qëmtime dhe studime shumëpërmasore në fushën e sociologjisë, studimeve kulturore e më gjerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.