Mbi Lombroson dhe kriminaliteti
I gjithë rajoni është ende nën ndikimin e lajmeve për vrasjet masive që ndodhën në Serbi brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Në këtë drejtim, është me rënësi që të trajtohen faktorët etiologjikë që ndikojnë veçanërisht te kriminaliteti i të rinjve, i cili si që shohim, mund të ketë pasoja të rënda dhe posaçërisht traumatike.
Historikisht, kriminaliteti është studiuar në shumë mënyra. Në fillet e shtetit dhe të drejtës, njerëzit nuk janë preokupuar shumë me delinkuentin, por vetëm me veprimin e tij kriminal. Ajo që ka ndodhur zakonisht është që kur dikush ka kryer vepër penale, është dënuar me dënimin e caktuar i cili zakonisht ka qenë një dënim brutal, shpesh dënim me vdekje, e në raste të tjera janë përdorur edhe dënime trupore, si rrahje apo gjymtime, dënime morale dhe dënime pasurore.
Njerëzimi vonë e ka kthyer vëmendjen drejt kryerësit të veprës penale. Kjo ka ndodhur në shekullin XIX, kur studiuesi i njohur italian, i cili ka qenë psikiatër me profesion, Cesare Lombroso, ka shkruar veprën e tij të njohur “Njeriu delikuent” dhe e ka promovuar teorinë e tij të “delikuentit të lindur”, që është njëherit edhe baza e Shkollës antropologjike-pozitiviste të të drejtës penale. Lombroso është munduar që në mënyrë shkencore t’i analizojë në aspekt antropologjik kryerësit e veprave të rënda penale. Në përpjekje të vërtetimit të teorisë së tij, Lombrozo ka thënë se njerëzit nuk bëhen kriminelë, por ata lindin kriminelë. Sipas teorisë së tij, njerëzit që lindin si kriminelë kanë shenja që i dallojnë ata nga njerëzit tjerë, dhe këto ai i quan “stigma kriminale”. Ai thotë edhe diçka tjetër: që kriminelët e lindur janë të determinuar (të parapërcaktuar) për të kryer vepra penale, dhe është vetëm çështje kohe kur ata do ta kryejnë veprimin kriminal. Duke u nisur nga kjo, Lombroso e ka kritikuar sistemin e sanksioneve penale të Italisë së atëhershme dhe ka thënë që dënimet nuk kanë asnjë efekt mbi “kriminelët e lindur”, të cilët nuk mund të përmirësohen. Të vetmen zgjidhje ai e ka parë te vendosja e masave të sigurisë për izolimin dhe menaxhimin e “delikuentëve të lindur” për ta mbrojtur shoqërinë nga dëmi që ata mund ta shkaktojnë.
Lombroso është kritikuar ashpër për këtë teori, për shkak të arsyeve të dukshme. Njerëzit, normalisht, nuk lindin kriminelë dhe as që mund të dallohen sipas shenjave antropologjike se a janë kryerës të veprave penale. Shembull për këtë janë raste të shumta ku njerëz me fytyrë engjëllore dhe pa “stigmat kriminale” të Lombrosos, paraqiten megjithatë si kryerës të veprave makabre. Në anën tjetër, përshkrimi se delikuentet janë të parapërcaktuar të kryejnë vepra penale dhe kësaj nuk mund i ikin assesi, është problematik në kuptimin liberal për veprën penale, sipas të cilit njeriu mendërisht i shëndoshë është i vetëdijshëm kur kryen vepër penale dhe bën zgjedhjen e gabuar, dhe për këtë mban përgjegjësi penale.
Me gjithë kritikat e ashpra ndaj teorisë së Lombrosos, ajo që është fascinante në mësimet e tij është përkushtimi i madh me të cilin ai i ka studiuar kryersit e veprave penale. Askush para tij nuk është marë kaq thellësisht me këtë çështje dhe askush nuk ka shpenzuar kaq shumë energji dhe vëmendje për ta kuptuar funksionimin e mendjes së delikuentit. Përfitimi i dytë nga mësimet e Lombrosos janë masat e sigurisë që sot e kësaj dite parashihen si sanksione të veçanta për personat që kryejnë vepra penale nën ndikimin e sëmundjeve shpirtërore ose gjendjeve të posaçme mentale.
Kriminologjia është zhvilluar si shkencë e veçantë pikërisht në kohën e Lombrosos dhe nga nxënësi i tij Rafaelo Garofalo. Kriminologjia studion dy aspekte të rëndësishme të kriminalitetit, edhe atë: format e paraqitjes së kriminalitetit (fenomenologjia kriminale) dhe shkaqet e paraqitjes së kriminalitetit (etiologjia kriminale). Format e paraqitjes së kriminalitet janë të dukshme dhe i shohim çdo ditë në kronikat e zeza dhe në lajmet për vrasjet masive të cilat i përmendëm më lart. Por pjesa e etiologjisë është më vështirë e identifikueshme dhe duhet parë në çdo rast se cilët kanë qenë faktorët vendimtarë që kanë ndikuar në kryerjen e veprës penale konkrete.
Ka shumë faktorë që ndikojnë në kryerjen e veprave penale të cilat i ndajmë në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Tek faktorët e jashtëm hynë faktorët ekonomikë-socialë, faktorët politikë dhe kulturorë, faktorët socio-patologjikë dhe faktorët mikrogruporë. Ka studime të shumta që tregojnë se si urbanizimi, industrializimi, varfëria, papunësia, konfliktet shoqërore, mediat, dukuritë socio-patologjike si alkoolizmi, narkomania, dhuna, e shumë të tjera ndikojnë në kryerjen e kriminalitetit. Jashtëzakonisht të rëndësishme janë mikrogrupet që po ashtu ndikojnë esencialisht tek kryerja e krimeve dhe këtu hynë raportet familjare, raportet në shkollë dhe raportet në ambientin jetësor ku edhe shihen probleme shumë të mëdha si raporte jo të shëndosha familjare dhe dhunë dhe mosdurim mes moshatarëve. Të gjitha këto kombinohen me faktorët e brendshëm që lidhen me shëndetin mental, ku numërohen faktorët psikologjikë dhe faktorët psikiatrikë në bazë të të cilave ndërtohet dashja për të kryer vepër penale. Nëse ndikimi i këtyre faktorëve të ndryshëm anashkalohet dhe neglizhohet, rezulton në krijimin e individëve të cilët nuk kanë empati dhe dhembshuri ndaj qenieve të tjera njerëzore, si për shembull rasti i vrasësit trembëdhjetëvjeçar të Beorgradit, i cili është shprehur se nuk ndjen fare keqardhje për atë që ka bërë, se ka parë shumë filma dhe dokumentarë për dhunën në shkolla, dhe se me aktin e tij ka dashur ti bëjë të vuajnë jo vetëm viktimat por edhe familjarët e tij për shkak të mosinteresimit që e kanë treguar ndaj tij.
Lombroso kritikohet mes tjerash edhe për atë që është përkrahës i teorisë së monofaktorit: duke thënë që vetëm një faktor ndikon në kryerjen e veprës penale, pra sipas tij, ose ke lindur kriminel, ose nuk ke lindur si i tillë. Megjithatë, në realitet është më e aplikueshme teoria e multifaktorit që pohon se tek kryerja e veprës penale ndikojnë shumë faktorë, nga të cilat disa mund të jenë më të rëndësishëm se të tjerët. Por ajo që duhet të gjithëve të na shqetësojë është mungesa e vëmendjes në identifikimin e këtyre faktorëve të cilët janë prezent në shoqëritë tona, por shpesh injorohen derisa nuk bëhet tepër vonë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.