Nëpërmjet brifingut selektiv, Arsovska u fsheh nga një pjesë e mediave
Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, sot ka mbajtur brifing me gazetarët në restorantin “Vodenica”, në të cilin ka njoftuar se autobusët e transportuesve privat për një javë do të mund të kyçen në transportin publik.
Portalb.mk dhe Meta.mk, nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në brifungun e kryetares Danella Arsovska, pavarësisht se disa herë nga Qyteti i Shkupit nuk na janë përgjigjur në pyetje gazetareske, për tema me interes publik.
Qyteti i Shkupit, gjithashtu nuk i ka ftuar edhe gazetarët e “Fokus”, “SDK”.
Siç shkruan, “Fokus“, Qyteti i Shkupit, nuk i ka ftuar gazetarët e mediave të cilët e kritikojnë punën e Danella Arsovskës.
Gazetari i Portalb.mk, bisedoi me Kristina Depon, zëdhënësen e kryetares Arsovska, e cila na konfirmoi brifingun, por tha se ka qenë “takim shoqëror” dhe jo brifing zyrtar.
Megjithatë, nga “takimi shoqëror”, mediat pjesëmarrëse në brifing kanë publikuar informata.
Gazetari i Portalb.mk e pyeti zëdhënësen nëse ata që nuk i kanë ftuar nuk i llogarisin miq, ajo tha se “ka mbi 200 media dhe nuk mund t’i ftojnë të gjithë”.
Por, kjo është në kundërshtim me të gjitha praktikat për transparencë dhe llogaridhënie.
Sipas praktikës, institucioni që e organizon brifingun, paraprakisht i njofton mediat në kohë të arsyeshme, pa përjashtuar asnjë medium.
Portalb.mk shpreh pakënaqësi ndaj Qytetit të Shkupit për selektimin e mediave për pjesëmarrje në brifing dhe shpreson që në të ardhmen e njëjta të mos përsëritet, nëse vazhdojnë ta mbajnë premtimin për transparencë.
Në takimin e sotëm selektiv, kryetarja e Shkupit, Arsovska ka deklaruar se autobusët e transportit publik do të mund të kyçen në qarkullim për një javë.