Mbeten hidrocentralet e vegjël në Mavrovë, Malin Sharr dhe Kozhuf, të kota rekomandimet e Konventës së Bernit

Hidrocentrali i vogël Ribniçka në Parkun Kombëtar të Mavrovës nuk do të anulohet. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor edhe përkundër kërkesës së Konventës së Bernit që të mos ndërtohet ky kapacitet energjetik, është në bisedime me investitorin që Ribniçka të dislokohet jashtë zonave rreptësishtë të mbrojtura dhe menaxhimit aktiv. Nuk do të anulohen as tre hidrocentralet e vegjël në Parkun kombëtar të Malit Sharr, Pena 84 dhe 85, ndërsa Vejaçka tashmë është përfunduar dhe është në testim e sipër, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

I njëjti fat e pret edhe lumin Doshnica në malin Kozhuf, ku janë paraparë dy hidrocentrale të vegjël. Edhe përkundër kundërshtimit të publikut dhe organizatave ekologjike, Ministria vazhdon me këto projekte, për të cilët thonë se i kanë siguruar të gjitha lejet në pajtim me dispozitat pozitive.

Komiteti i Konventës së Bernit në dhjetor të vitit të kaluar në seancën e 43-të kërkoi nga vendi ynë që menjëherë ta anulojë Ribniçkën në Mavrovë dhe të shkëputen të gjithë koncesionet për hidrocentrale të vegjël në Malin Sharr. Komiteti kërkoi edhe që të përshpejtohet shpallja e Parkut kombëtar Mavrovë dhe miratimi i ligjeve për ujërat dhe mbrojtjen e natyrës. Para trupave të Konventës tashmë një dekadë është duke zgjatur rasti që e inicioi “Eko Svest”-i për mbrojtjen e Mavrovës dhe Zhirovnicës 5 dhe 6, por jo edhe për Ribniçkën.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informojnë se për këtë hidrocentral të vogël nuk është iniciuar procedurë për shkëputjen e kontratës së koncesionit.

“Koncesionari ka dorëzuar një propozim për ndryshim të zgjidhjes teknike me dislokim të punimeve që ndodhen në zonat e propozuara për mbrojtje të rreptë dhe menaxhim aktiv. Tani për tani nuk shqyrtohen skenarë të tjerë për shkëputjen e kontratës, theksojnë nga Ministria.

Sa u përket Zhirovnicës 5 dhe 6 për të cilët para një viti Qeveria miratoi vendim që të shkëputen koncesionet, Komisioni që u formua nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësino, ajo e Ekonomisë dhe ajo e Financave, është duke punuar në përgatitje të dokumentacionit për dëmshpërblim dhe shkëputje të kontratës për koncesion me marrëveshje. Pas përfundimit të punës Komisioni do të duhet ta informojë Qeverinë e cila do të duhet të nënshkruajë marrëveshje me koncesionarin për shkëputjen e kontratës.

Në vitin 2022 u shkëputën shtatë koncesione për hidrocentrale të vegjël pasi Mali Sharr u bë park kombëtar. Mirëpo, vitin e kaluar u miratua një vendim për vazhdimin e koncesioneve të Pena 84 dhe 85 dhe Vejaçka. Nga Ministria thonë se për ato prej fillimi është ditur se nuk do të shkëputen.

“Me miratimin e Ligjit për shpalljen e një pjese të Malin Sharr për Park Kombëtar, u parapanë të gjithë MHCE-të për të cilët ishte paraparë shkëputje. Mirëpo te këto nuk hyjnë Pena 84 dhe Pena 85, e as Vejaçka, e cila është ndërtuar dhe lëshuar në përdorim provë”, thonë nga Ministria.

Kërcënimi nga ndërtimi i objekteve energjetike nëpër lumenj të vegjël për shkatërrimin e natyrës dhe bidodiversitetit nuk është i pranishëm vetëm në zonat e mbrojtura. Vitin e kaluar kishte reagime të mëdha nga popullata lokale dhe organizatat ekologjike për lëshimin e lejeve për ndërtim të hidrocentraleve të vegjël në lumin Doshnica. Edhe pse nuk është në zonë të mbrojtur, publiku vlerësoi se ky lloj punimesh është i dëmshëm për natyrën edhe biodiversitetin, sepse ky është një ndër lumenjtë më të pastër në vend.

Megjithatë, nga Ministria thonë se për momentin nuk shqyrtohet mundësia për shkëputjen e kontratave për këto dy hidrocentrale të vegjël, duke pasur parasysh faktin se ato i kanë pasur të gjitha licencat dhe lejet sipas ligjeve për ujërat dhe mjedisin jetësor.

Vitin e kaluar “Eko Svest”-i i profesorit Igor Kambovski publikoi një analizë juridike për mundësitë juridike për shkëputjen e koncesioneve që u ofrua deri te institucionet për ta përdorur në negociata me koncesionarët. Ministria thotë se mundësitë ligjore dhe kontraktuale për shkëputjen e kontratave për koncesionet tashmë janë të përfshira nëpër ligjet për ujërat, për koncesionet dhe për partneritetin publik-privat, si dhe në vetë kontratat dhe se ato tashmë janë duke u zbatuar nëpër negociata te të gjithë rastet e deritanishme të shkëputjes së kontratave për koncesion.

Ato theksojnë se nuk mund të dihet se a do të jepen edhe koncesione të tjera për hidrocentrale të vegjël duke pasur parasysh atë se ende ekzistojnë lokacione që kanë mbetur të pa dhëna, por ka edhe propozime për zbatim të procedurave edhe në lokacione të tjera, të cilat Ministria është duke i analizuar.