Në Ministrinë e Brendshme mungojnë formularët e pasaportave, Avokati i Popullit tregoi ankesat e qytetarëve

Në zyrën e Avokatit të Popullit arrijnë ankesa nga qytetarët për pamundësinë e caktimit të terminit për marrjen e dokumenteve personale dhe për problemin e kompensimit për shpenzimet e dokumenteve që janë të vlefshme sipas vendimeve ligjore por që për shkak të ndryshimeve në Kushtetutën e vendit me emrin e ri, me 12 shkurt do të bëhen të pavlefshme. Këtë e ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Avokati i Popullit, Naser Ziberi, transmeton Portalb.mk.

Ziberi pohoi se Ministrisë së Punëve të Brendshme i mungojnë formularë për dokumentat e udhëtimit, ndërsa qytetarët ankohen se nuk munden t’i marrin në kohë dokumentet e udhëtimit.

“Këto ankesa kanë filluar të mbërrijnë pas vitit të ri dhe ne do t’i drejtohemi Ministrisë së Brendshme pse ka pasur vonesë në nxjerrjen e atyre tashmë të përgatitura, supozoj se ato dokumente të udhëtimit janë përgatitur dhe do të reagojmë. Në biseda të caktuara jozyrtare kam marrë informacion se ka mungesë të formularëve. Mund të them me siguri se mungojnë formularët për dokumentet dygjuhëshe të udhëtimit, por mendoj se mungojnë edhe formularët për dokumentet e tjera”, tha Ziberi.

Ai theksoi se Ministria e Brendshme ka lëshuar dokumente me emrin e vjetër të vendit edhe pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese me emrin e ri të vendit. Në lidhje me këtë, ai tha se institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë shpenzimet për dokumentet e reja të qytetarëve të cilët gjatë kësaj periudhe kanë nxjerrë dokumente personale dhe dokumente për udhëtim.

Përndryshe nëpër sportelet e Ministrisë së Brendshme ka radhë të gjata pritjesh nga ana e qytetarëve të cilët shkojnë për të ndryshuar dokumentet e tyre, kjo shkakton edhe revoltë të madhe te qytetarët.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.