Ilhan Kuçuk për ndryshimet kushtetuese: Nuk do të ketë propozim më të mirë, ky nuk është diktat bullgar

Nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e BE-së – as nuk ka një dëshirë të tillë, as Këshilli nuk do të fillojë të angazhohet për ndryshimin e rregullave pak muaj para zgjedhjeve evropiane në KE. Janë rregullat këto, janë të harmonizuara dhe të gjithë duhet të përshtaten me to. Së dyti – nuk do të ketë propozim më të mirë, sepse ky është më i miri. Askush nuk ia kthen dorën Shkupit, askush nuk vendos ndonjë kusht shtesë. Ky nuk është një diktat bullgar, por këto janë rregullat evropiane që Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë, transmeton Portalb.mk.

Me një mesazh të tillë sot, kur propozimi për amendamentet kushtetuese hyri në procedurë në Kuvendin e Maqedonisë, iu drejtua Ilhan Kuçuk, deputet i Parlamentit Evropian (PE) dhe raportues special i PE-së për Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare (BNR), Kuçuk theksoi se Maqedonia e Veriut është fqinji i Bullgarisë dhe se interesi strategjik i Bullgarisë duhet të jetë që të gjithë në Ballkan së bashku të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

“Ajo është e ardhmja!”, thotë ai.

E gjithë kjo, thotë ai, kërkon përpjekje politike dhe dëshirë që vendi të shkojë në një drejtim apo në një tjetër.

“Zgjedhja është ekskluzivisht për Maqedoninë e Veriut. Nëse VMRO-DPMNE nuk dëshiron të jetë në anën e evropianizimit të RMV-së, përgjegjësia është e partisë, por fatkeqësisht kjo do ta ndalë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, tha Kuçuk.

Sipas tij, ka shumë mundësi që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndahen në rrugën evropiane. Kuçuk pajtohet me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski se në rast të dështimit, arsyet do të duhet të kërkohen vetëm në Shkup.

“Duhet të ketë sinjal të qartë politik, pra përpjekje të bashkuara nga të gjithë. Debati mund dhe duhet të jetë i vështirë, kur flasim për çështje të brendshme politike, por kur flasim për shtyllat e integrimit, NATO dhe BE, zgjedhjen e qytetëruar të vendit – këtu duhet të ketë një mendim të vetëm – duke ndjekur prioritetet strategjike të vendit”, thotë Kuçuk.

Sa i përket kushteve, ai përsërit se ato nuk janë bullgare, por evropiane dhe se gjatë presidencës franceze të KE-së, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë pajtuar me to.

Ai theksoi se politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në çështjet historike.

Përndryshe, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e sotme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.