Studentët e Maqedonisë së Veriut që ndjekin studimet larg vendbanimit do të marrin mbështetje financiare

Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka shpallur Konkurs për mbështetjen financiare të studentëve që studiojnë larg vendbanimit gjate vitit akademik 2023/24, transmeton Portalb.mk.

“Ftohen të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet e mëposhtme të paraqiten në Thirrjen Publike për realizimin e mbështetjes financiare të studentëve që jetojnë larg vendit të studimit: të jenë shtetas të RMV-së, studentë të rregullt në universitete shtetërore dhe jetojnë larg vendit të studimeve”, sqaroi Ministria, duke theksuar që vlera e mbështetjes është prej 600 deri 1200 denarë në muaj.

Aplikimi për këtë mbështetje financiare është përmes formës elektronike në këtë adresë https://e-uslugi.mon.gov.mk/. Aty deri më 24 dhjetor duhet të dërgohen dokumentet e nevojshme.

Ndryshe, filloristët, nxënësit e shkollave të mesme, studentë dhe pensionistë janë kategoritë e para që mbulohen nga paketa e re e masave, për të cilat ofrohet ndihmë financiare disamujore. Masat, për të cilat janë ndarë 156 milionë euro nga buxheti, i ka bërë të ditur pasditen e sotme kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Mbi 105 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm në gjashtë muajt e ardhshëm do të marrin 1200 denarë, përkatësisht 1800 denarë në muaj, për të cilat nga buxheti do të ndahen 14,3 milionë euro. 15 mijë studentë, që jetojnë jashtë vendit të studimit, do të përfitojnë kupon për transport. Në 7 muajt e ardhshëm studentët do të marrin vauçerë mujore nga 600 deri në 1200 denarë, për të cilat janë planifikuar 2 milionë euro”, tha kryeministri Kovaçevski.