Liderët e opozitës shqiptare deri më 18 dhjetor duhet të dërgojnë kandidatin për anëtar të KSHZ-së

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dje te kryetarët e partive opozitare shqiptare  Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Bilall Kasami, Arjanit Hoxha dhe Skender Rexhepi Zejd e dërgoi Raportin e Komisionit kuvendor për çështje të zgjedHjeve dhe emërimeve me listë të vërtetuar të kandidatëve për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), raporton MIA.

“Po e bashkëngjis Raportin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, ju njoftoj se në përputhje me nenin 29 paragrafi 1 i Kodit Zgjedhor, brenda tri ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi, jo më vonë se data 18 dhjetor 2023 deri në ora 16:30, është e nevojshme të parashtroni propozim me shkrim për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga Lista e dorëzuar në bashkëngjitje të Raportit”, thuhet në letrën e Xhaferit.

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka përcaktuar listën me pesë kandidatë nga të cilët duhet të zgjidhet anëtari i KSHZ-së, përkatësisht Berat Dauti, i diplomuar në drejtësi, Abdush Demiri, ekonomist, Robert Trajkovski dhe Zulfi Adili.

Pas përcaktimit të kandidatit, ai duhet të votohet në një seancë të Kuvendit.

Pas emërimit të Krenar Llogës për ministër të Drejtësisë një vend në KSHZ mbeti i zbrazët.

Kujtojmë se partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.

Kovaçevski tha se 100 ditë para zgjedhjeve ose më 28 janar do të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.