Pendarovski nuk do të kandidojë për mandat të dytë presidencial

Presidenti Stevo Pendarovski nuk planifikon të kandidojë për një mandat të ri. Në manifestimin e sotëm në forumin e hapur kundër korrupsionit ku u diskutuan masat dhe politikat që ndërmerren dhe duhet të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit, Pendarovski i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve duke mos thënë pse, ai vetëm shkurt është përgjigjur se nuk planifikon të kandidojë sërish për president në zgjedhjet e planifikuara për 8 maj të vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski është presidenti i pestë i Maqedonisë që nga 12 maji 2019, i cili aktualisht është në detyrë. Ai e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme si analist i sigurisë, ai ishte gjithashtu këshilltar për siguri kombëtare dhe politikë të jashtme të dy presidentëve maqedonas, Boris Trajkovsi dhe Branko Cërvenkovski.

Pendarovski ishte kandidat për president të shtetit për herë të parë në vitin 2014, kur ishte kandidat i koalicionit të udhëhequr nga LSDM, por nuk arriti ta mposht presidentin e atëhershëm Gjorge Ivanov. Në vitin 2019 ishte kandidat për herë të dytë në zgjedhjet presidenciale, si kandidat konsensus i LSDM-së, BDI-së dhe dhjetëra partive të tjera politike dhe mundi kandidaten e opozitës VMRO-DPMNE, profesoren universitare Gordana Siljanovska-Davkova.

Kujtojmë se partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.

Kovaçevski tha se 100 ditë para zgjedhjeve ose më 28 janar do të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.