Nxënësit shqiptar të Velesit në protestë pasi nuk pranohen në shkollë, ministri Shaqiri: kjo çështje është zgjidhur

Nxënësit shqiptarë në Veles sot kanë protestuar para gjimnazit “Koço Racin”, pasi nuk pranohen në shkollë, përshkak të pikëve të ulëta gjatë konkursit pranues, ndërkohë që arsimi në vend është i detyrueshëm. Nxënësit dhe prindërit thonë se ata janë detyruar të nënshkruajn për siç thonë mos-përmbushjen e pikëve dhe janë nxjerrë prej shkolle nga sigurimi. Ata konsiderojn se ky është diskriminim i pastër, transmeton Portalb.mk.

“Nuk na kanë pranuar, na kanë thënë që s’i keni nga 60 pikë. Na kanë dhënë të nënshkruajm diçka dhe na kanë nxjerrë me polici nga shkolla”, thotë njëri nxënës.

Një prind i një nxënësi që poashtu nuk është pranuar për numër shumë të vogël pikësh shprehet se nxënësit janë nxjerrë jashtë dhe se për këtë duhet të ketë qenë në dijeni edhe drejtori.

“I kanë nxjerrë jashtë, nuk i kanë lënë brenda me hy. Ju kanë dhënë të nënshkruajn se nuk i plotësojnë pikët për pranim. Ky është diskriminim. Ministri i arsimit duhet të marrë masa për rastin”, thotë një prind.

Nga ana tjetër ministri i Arsimit Jeton Shaqiri përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se rasti në fjalë tashmë është zgjidhur dhe se Inspektorati Shtetëror i Arsimit është në terren dhe dy paralelet në SHMK “Koço Racin” në Veles, “që i pengojnë dikujt do të vazhdojnë të funksionojnë”.

“Mësimi në gjuhën amtare është e drejtë kushtetuese të cilën askush nuk mund ta mohoj. Nëse është faj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i mundëson secilit mësim në gjuhën amtare, me punë intensive secilit nxënës po i ndërton shkollë në lagjen ku jeton atëherë, unë dhe kabineti im jemi fajtor”, thuhet në reagimin e ministrit. 

Kujtojmë se ditë më parë, Këshilli i Komunës së Velesit votoi kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për themelimin e dy paraleleve shtesë në gjimnazin “Koço Racin”, nga një në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Më saktësisht, sipas konkursit të shpallur para disa muajsh dhe në të cilin ishin përcaktuar qartë kriteret dhe sipas numrit të nxënësve të regjistruar për regjistrim në vitin e parë, këshilltarët vendosën që numri i paraleleve në shkollën e mesme të jetë katër në maqedonisht dhe një në shqip.

“Është kërkuar që të pranohen nxënës me pikë më të ulët se konkursi që parashikon 60+ dhe me çdo kusht të ketë dy paralele shqipe në gjimnazin e Velesit dhe një në shkollën ekonomike. Dhe tani e di që menjëherë do të fillojnë të përdorin të gjitha mekanizmat e presionit, do të gjejnë mënyrë ose nuk do të kërkojnë fare dhe do t’i heqin ingerencat gjimnazit, por është e rëndësishme që sot nuk është shkelur as ligji për arsimin e mesëm dhe as ndonjë akt nënligjorë. Me këtë dua t’i dërgoj një mesazh të qartë drejtorit dhe ministrit të Arsimit: Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është kundër shqiptarëve, por duhet të ketë rregull! Çdo qytetar i Maqedonisë duhet t’i respektojë ligjet nëse mendon mirë për vendin”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së nga Velesi, Igor Zdravkovski.

MASh-i kërkoi që në këtë afat në gjimnaz të regjistrohen të gjithë nxënësit e shkollave të mesme që konkuruan pas afatit të tretë.

Vendimi i tij krijoi revoltë tek pedagogët dhe prindërit e nxënësve të cilët nuk e kanë problem hapjen e një paraleleje shqipe siç thuhet nga MASh, por janë të pakënaqur që nxënësit me rezultate të dobëta të pranohen.

“Padrejtësi të tilla ndodhin në periudhën e fundit të regjistrimit, e cila pasi mbaroi, morëm urdhër nga MASh për të pranuar të gjithë nxënësit që aplikuan. Me vjen shumë keq dhe ndjej përgjegjësi, dua t’u kërkoj falje të gjithë prinderve femijet e te cilëve nuk u pranuan me 59 pike, gjegjësisht u refuzuan sepse nuk plotësonin kushtet e përcaktuara nga konkursi dhe tani jemi të detyruar te pranojmë nxënës me 41 pikë, gjegjësisht me sukses të mirë. Konsiderojmë se fëmijët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë dhe si mësues nuk mund të heshtim”, theksoi profesor Nikolovski.