Konkurs arkitektonik, “Shkupi i gjeneratës së re”, fituesit do të marrin çmime në para

Me rastin e 60-vjetorit të tërmetit të Shkupit, Europe House hap konkursin arkitektonik të titulluar “Shkupi i gjeneratës së re” përmes të cilit ftohen arkitektë dhe urbanistë të rinj të lënë gjurmë në arkitekturën e kryeqytetit. Ky nuk është vetëm një konkurs për të zbukuruar qytetin, por edhe thirrje për të përmirësuar aksesin në vendet e harruara të qytetit. Qëllimi i konkursit është të rivitalizojë hapësirat e vjetra dhe të harruara në Shkup dhe ta bëjë qytetin më gjithëpërfshirës dhe më të aksesueshëm për të gjithë, transmeton Portalb.mk.

Përveç kontributit në arkitekturën e qytetit, fituesit do të marrin edhe çmime në të holla. Dizajni më i mirë do të marrë 1500 euro, i dyti do të marrë 800 euro dhe i treti 500 euro. Fituesit do të zgjidhen nga një grup ekspertësh-përfaqësues nga universitetet e njohura të Shkupit, si Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Universiteti Amerikan Kolegji Shkup (UAKSh), Universiteti MIT, Fakulteti i Shkencave Sociale (FON) dhe Universiteti Shën Kirili dhe Metodi në Shkup. Punimet do të jenë anonime, ndërsa ekspertët nuk do të dinë se kush është autori i dizajnit, kështu që çdo pjesëmarrës do të ketë të njëjtin shans për të fituar.

Sa i përket datave, të interesuarit do të mund të aplikojnë nga data 4 shtator 2023 përmes faqes zyrtare të Europe House www.euhouse.mk, ndërsa afati i fundit për pjesëmarrje është 22 tetor 2023. Nëse të interesuarit në konkurs kanë pyetje, do të kenë mundësi t’i bëjnë ato deri më 18 shtator 2023 dhe të gjitha përgjigjet do të publikohen më 25 shtator 2023. Veprimtaria kryesore dhe ceremonia e shpalljes së fituesve dhe ekspozimi i punimeve do të mbahet më 13 nëntor 2023.