Mariçiq – Pamer: Austria jep mbështetje të fuqishme për progres drejt BE-së, e rëndësishme të vazhdojnë negociatat

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq sot u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Austrisë, Martin Pamer me ç’rast kanë biseduar për rrjedhën e procesit të skriningut, ndryshimet kushtetuese dhe rëndësinë që të mbahet diskursi evropian i shtetit në këtë moment, njofton Portalb.

Siç kumtoi SÇE-ja, zëvendëskryeministri Mariçiq në takim ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është me interes kombëtar dhe se Qeveria është e përkushtuar dhe bën përpjekje që shtetin ta mbajë në rrugën evropiane. Ai ka shtuar se “jemi të përgatitur në reforma të vështira dhe esenciale që sa më shpejtë t’i arrijmë standardet evropiane” dhe se për këtë kemi ndihmë edhe nga partnerët e tanë evropian.

Ambasadori i ri austriak në vend Pamer në takim ka konfirmuar se Republika e Austrisë e mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe se do të vazhdojë të jetë aleat i ynë në rrugën drejt BE-së.

Ai ka shfaqur bindje, shtohet në tej në kumtesë, se ndryshimet kushtetuese do të miratohen dhe ka vërejtur se përkushtimi ndaj procesit dhe angazhimi i sinqertë i Qeverisë përmes ndërmarrjes së hapave konkrete për përmbushje të detyrave për afrim drejt Bashkimit Evropian, është konfirmim i fuqishëm se Maqedonia e Veriut duhet të jetë anëtare e BE-së.

Zëvendëskryeministri Mariçiq i ka dëshiruar ambasadorit Pamer mandat të suksesshëm dhe ka shprehur bindje se Maqedonia e Veriut dhe Austria do t’i përforcojnë marrëdhëniet e mira bilaterale dhe në mënyrë plotësuese do ta avancojnë bashkëpunimin, posaçërisht në procesin inkuadrues dhe zbatimin e agjendës reformuese.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend. Deri tani, Kuvendi nuk i ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.