Gazetarët e rinj të Fondacionit Metamorfozis ishin në vizitë studimore në SHBA

Dy praktikantë të mediave në Fondacionin Metamorfozis, Afije Sherifi praktikante në Portalb.mk dhe Borjan Gagovski në Meta.mk, së bashku me dy përfaqësues të fondacionit, Elida Zylbeari dhe Goran Rizaov, ishin pjesë e një vizite studimore njëjavore në Uashington të SHBA-së. Vizitën e organizoi Qendra Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ), të cilët janë partnerë afatgjatë të Metamorfozis. 

Përveç takimeve që gazetarët kishën me përfaqësues të ICFJ, ata vizituan edhe disa redaksi dhe institucione arsimore. Pjesë të redaksive me të cilat u takuan ishin revista Foreign Policy”, pastaj e famshmja Washington Post si dhe online media Axios.

Logoja e redaksisë Washington Post, foto: Fondacioni Metamorfozis
Logoja e redaksisë Washington Post, foto: Fondacioni Metamorfozis

Përpos kësaj, u organizuan një sërë ligjëratash për luftën kundër dezinformimit si dhe një vizitë në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Maryland dhe PEN America. Takimi i fundit u zhvillua me disa përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH).

Temat kryesore të vizitës studimore ishin inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në dezinformatat dhe gazetarinë e bazuar në të dhëna statistikore.

Vizita ishte pjesa finale e programit: “Gazetaria për gjeneratën e re: Program për trajnime mediatike në Maqedoninë e  Veriut” të cilin fondacioni  Metarmofozis e zbaton së bashku me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë] (ICFJ), ndërsa me mbështetje financiare nga Ambasada e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Programi filloi me katër trajnime për të rinjtë në fushat e gazetarisë së të dhënave dhe dezinformatave të mbajtura  në shkurt, mars, prill dhe maj të këtij viti. Shtatë më të mirët nga 40 përfaqësues u përzgjodhën për një praktikë njëmujore në mediat e Metamorfozis, gjegjësisht  agjencinë e lajmeve Meta, Portalb dhe Vërtetmatës. Dy më të mirët prej shtatë praktikantëve u zgjodhën për vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.