Maqedonisë së Veriut i shtohet edhe një parti politike më 9 tetor

Skena politike në Maqedoninë e Veriut do të plotësohet edhe me një subjekt të ri politik, përkundër asaj se udhëheqësi i saj tashmë disa vite është në skenën politike. Nismëtari për formimin e partisë së re më 9 tetor do të jetë Maksim Dimitrievski, transmeton Portalb.mk.

“Më 9 tetor, në vigjilje të festës së madhe të 11 Tetorit, në hotel Holidej In në Shkup, duke filluar nga ora 20:00, do të organizohet ngjarja për formimin dhe nënshkrimin e nismës për formimin e një subjekti të ri në skenën politikë në Maqedoni”, njoftoi Dimitrievski.

Ai vlerësoi që në këtë organizim do të ketë shumë bashkëmendimtar, intelektual të pavarur dhe udhëheqës të organeve që i ka formuar në krejt shtetin.

Nismëtari për formimin e partisë, kërkoi nga qytetarët të bashkëngjiten në këtë nismë, nëse mendojnë se mund të ndodhë diçka pozitive këtu.

Ndryshe, Maksim Dimitrievski është kryetar i Komunës së Kumanovës, si kandidat i pavarur, ndërsa mandatin e parë ishte si kandidat i LSDM-së.