Maqedonia, Kosova, Shqipëria pjesë e stërvitjes së madhe ushtarake “Defender Europe 23”

Në poligonin ushtarak “Krivolak” sot nis stërvitja “Përgjigje e shpejtë 23”, e cila është pjesë e stërvitjes më të madhe shumëkombëshe në Evropë për këtë vit “Defender Europe 23”, e cila do të zgjasë deri më 2 qershor, transmeton Portalb.mk.

“Përgjigje e shpejtë 23” do të realizohet në tetë vende të rajonit, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë.

Në pjesën e stërvitjes që do të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në poligonin ushtarak“Krivolak”, do të marrin pjesë rreth 1850 pjesëtarë të katër ushtrive të NATO-s – SHBA-së, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe një vendi partner, Kosovës.

Ushtria e Maqedonisë së Veriut me rreth 130 pjesëtarë do të marrë pjesë në zbatimin e kësaj stërvitje në Gjermani, Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Shqipëri.

Qëllimi i stërvitjes, sipas autoriteteve, është përmirësimi i aftësive ushtarake dhe ndërveprimit të aleatëve dhe partnerëve. Duke kryer një sërë operacionesh, misionesh dhe aktivitetesh të kombinuara, ushtrimi do të ndikojë në përmirësimin e shpejtësisë së veprimit dhe harmonizimin e procedurave operacionale.

Gjatë stërvitjes në poligonin “Krivolak” do të prezantohet projekti “ORIGIN”, i cili është platformë për testimin dhe demonstrimin e teknologjive të reja, pra një mjet robotik autonom, me bazë tokësore, i Komandës së Zhvillimit të Aftësive Ushtarake të SHBA-së.

Të dielën në Prishtinë u zhvillua ceremonia hapëse e stërvitjes së përbashkët ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 23”.

Kosova është për të dytën herë pritëse e stërvitjes qe vlerësohet si më e madhja ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se “Defender Europe 23” është një stërvitje posaçërisht e rëndësishme tani kur ka një agresion të pajustifikueshëm rus në Ukrainë.

Ambasadori amerikan vlerësoi lart bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila tha se ka shënuar përparim përmbajtësor vitet e fundit. Ai theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar FSK-në në rrugën e saj të siç tha një force profesionale, shumëetnike e të ndërveprueshme me NATO-n.

“Një nga qëllimet e kësaj stërvitjeje është të dëshmojmë se ushtria amerikane është e gatshme, e aftë për të zbarkuar me shpejtësi trupa e paisje luftarake, për t’i siguruar aleatët tanë, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen, si dhe për ta mbrojtur kontinentin e Evropës nga agresioni”, tha ambasadori Hovenier.

Edhe Shqipëria mirëpret sot për të dytën herë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë.

Kryeministri Rama ka nisur ditën me një postim në rrjetet sociale ku fton të gjithë t’i bashkohen sot ngjarjes më të rëndësishme ushtarake të vitit, ku trupat dhe mjetet ushtarake amerikane, shqiptare dhe partnerë zbarkojnë në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”.

“Mirëmëngjesi! Dhe me ftesën që të bashkoheni sot në ngjarjen më të rëndësishme ushtarake të vitit #DefenderEurope23  ku trupat dhe mjetet ushtarake amerikane, shqiptare dhe partnerë zbarkojnë në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.