Shkenca qytetare (I)

Në origjinal citizen science. Kjo ishte tema që më 9 mars u trajtua në webinarin e mbajtur në kuadër të projektit “Bridge – Natura 2000”  pjesë e të cilt është edhe UEJL. Sipas Bożek-Andryszczak (2018) këtë term për herë të parë e kanë përmendur Joël Primack dhe Frank von Hipel në librin Këshillë dhe mospajtim: Shkencëtarët në arenën politike (Advice and Dissent: Scinetists in the Political Arena, 1974).  Sipas Tzilivakis (2022) autori këtij nocioni shumë të popullarizuar sot është Alan Irwin në veprën  Shkenca qytetare: një studim i njerëzve, ekspertizës dhe zhvillimit të qëndrueshëm (Citizen Science: A Study of People, Expertise, and Sustainable Development, 1995), që e ka përkufizuar atë si shkencë që iu asiston nevojave dhe brengave të qytetarëve. (1995: xi)

Ky lloj i dijes që ndërlidhet me procesin e demokratzimit të shkencës, nënkupton shkencën nga dhe për popullin, shkencën për gjithkënd ku përfshihen të mësuarit, zhvillimi i shkathtësive, të kuptuarit, vetëdija dhe kënaqësia shkencore. Shkenca civile, e mbiquajtur edhe si shkencë me qytetarë, hulumtim i veprimit pjesëmarrës (partcipatory action reserach, Baum et al, 2006) dhe peer research (Lushey & Munro, 2014), ka të bëjë me pjesëmarrjen e qytetarëve në projekte në të cilat vullnetarët dhe shkencëtarët punojnë së bashku për t’u gjetur përgjigje pyetjeve nga jeta e përditshme. Është shkencë që realizohet me pjesëmarrjen e publikut,  të patricipantëve që nganjeherë njihen si amatorë apo si shkencëtarë joprofesionalë apo amatorë. Ndryshe njihet edhe si shkencë komunitare, shkencë turmash, shkencë me burim grigje (crowd-sourced science), si monitorim pjesëmarrës (participatory monitoting) ose monitorim vullnetar.

Në katër anët e botës, në parmasa nacionale, lokale dhe globale,  njerëzit e rëndomtë të të gjitha moshave angazhohen në shkencë, duke marrë pjesë në projekte në të cilat vullnetarë dhe shkencëtarë punojnë se bashku për t’u gjetur përgjigje dhe solucione pytjeve dhe çështjeve të botës reale (NGS, 2023), mund të  bëhen pjesë e projekteve kërkimore të jashtëzakonshme që ndryshojnë “fatet” e njerëzve dhe botës.

Duke punuar së bashku si pjesë e bashkësisë me  profesionistët, shkencëtarët qytetarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në zbulimet e mirëfillta shkencore, në eksperimente, mbledhje dhe analizë të të dhënave., mund t’i sjellin komunitetit benefite të panumërta. Një pjesë e mirë e këtij lloji të shkencës mund të bëhet apo të realizohet në shtëpi, në oborr, madje edhe në dhomat e ndejës dhe në kuzhinë, nën udhëzimin e një shkencëtari profesional dhe duke shfrytëzuar protoklet e veglat shkencore të mirëfillta. Ky lloj shkence ka një mision civilizues: pa marrë parasysh lokacionin dhe procesin, e shpie çdokënd ballë për ballë me mësimin më tepër për planetin tonë dhe ruajtjen e tij. Çdokush mund të bëhet shkencëtar qytetar, pa marrë parasysh gjeografinë, moshën dhe backgroundin apo profesionin. Kërkohet vetëm kushtim kohe, kureshtje dhe ndjenjë çudie.

Rritja aktuale në shkencën qytetare tregon qartë dëshirën shoqërore për të marrë pjesë më aktivisht në prodhimin e dijes, në vlerësimin dhe vendimmarrjen rreth saj. Prej saj përfitojnë shkencëtarë, organizata kërkimore, financues kërkimesh dhe shoqëria në përgjithësi. Pse është e rëndësishme? Ngase është mjet i hapjes së shkencës dhe promovimit të qëllimit për akces universal dhe të barabartë në të dhëna dhe informacione shkencore. Kjo sferë rrok projekte nga astronomia, ekologjia, biologjia molekulare, shkencat humanitare etj. Projektet e kësaj natyre kanë të bëjnë me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimaterike, përfshirë edhe transformimin shoqëror, kancerin, oqeanet, detrat, ujërat e shëndetshme, qytetet klimaterikisht neutrale dhe të urta, shëndetin e tokës e të ngjashme.

Një platformë amerikane që mbështet shkencën civile është qeveritarja “National Park Service” që organizon celebrimin e Ditës së Tokave Publike Nacionale, Ditën e Shpendëve Shtegtarë, BioBlitzin (gjetjen dhe identifikimin) e Këpurdhave e të ngjashme. Në Australi ekziston projekti “FrogID”, një aplikacion ky që regjistron zërat e bretkosave me qëllim të identifikimit të llojeve dhe vendndodhjeve të tyre, listimit të llojeve të kërcënujara dhe të rrezikuara etj. Është edhe projekti “Penguin Watch” që iu ndihmon shkencëtarëve që të formojnë të dhëna bazike lidhur me numrin, lokacionet, shprehitë dhe shënndetin në Oqeanin Verior. Kjo ndihmon të kuptuarit më të mirë të efekteve të ndryshimit klimaterik, të peshkimeve dhe shqetësimit direkt njerëzor për ekosistemin e Antartikut. I kësaj kategorie është edhe “Sfida Globale e Tokës” që mbledh dhe klasifikon fotografi për të mbështetur planetin, mjedisin dhe shëndetin njerëzor. “Spring Alive” është një projekt ndërkombëtar që synon rritjen e interesit dhe vetëdijësimin e fëmijëve mbi ruajtjen e natyrës dhe të shpendëve. Në kuadër të “Galaxy Zoo” projektit participuesit kontribuojnë në klasifikimin e imazheve teleskopike të galaksive.

Shkenca Ekstreme Qytetare ka gjetur rrugët thellë në pyjet e shiut ku popujt indigjenë marrin pjesë në ndërmarrje për të mbrojtur biodiversitetin dhe kulturën lokale. (ec.europa.eu) “Litter intelligence” synon të mbledhë informacionet rreth mbetjeve për të ndryshuar sjelljen lokale, për të detektuar se cilat masa janë më efektive në reduktimin e mbeturinave në afat të gjatë. “Globe at Night” është një projekt ndërkombëtar lidhur me ndotjen përmes dritës gjatë natës, lloj i ndotjes ky që afekton bimët, kafshët dhe ekosistemin. Në Zelandë të Re një projekt i shkencës qytetare është ai “How deep is your snow?” që bën matjen ekzakte të thellësisë dhe dendësisë së borës dhe lidhjes së kësaj të fundit me peshën mbi objekte. Në Kanada realizohet një projekt i mbiquajtur “Citizen Science: Pain Research” ku njerëzit duke shkëmbyer përvojat e tyre lidhur me dhimbjet mund të ndihmojnë në gjenerimin e ideve dhe metodave  të reja kërkimore. “Zooniverse” është komunitet i përbërë nga shkencëtarë profesionistë, amatorë, joshkencëtarë; shfrytëzon blogje, Twitterin dhe faqet e shtypit, i mundëson çdokujt që të marrë pjesë në shkencë, mundëson gjetje përgjigjesh për shumë pyetje dhe kontribuon në favor të zbulimeve reale. Kjo platformë deri në vitin 2022 ka rezultuar me 160 publikime të recensuara. (Klimczuk et.al. 2022) /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.