Maqedonia e Veriut thuajse ka përmbushur nevojat për grurë, vlerësoi ministri i bujqësisë
Ministri për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonominë e Ujërave në Maqedoninë e Veriut, Cvetan Tripunovski, ka vlerësuar se vendi thuajse nuk ka nevojë për import të grurit pasi i përmbush nevojat nga mbjelljet, transmeton Portalb.mk.
“Sipas të dhënave me të cilat disponon Ministria, gruri është mbjellë në rreth 70.000 hektarë, ndërsa nga korrja janë mbledhur mbi 280.000 tonë, sasi që pothuajse i mbulon tërësisht nevojat vendore”, deklaroi Tripunovski.
Ai theksoi se korrja e grurit këtë vit është kryer në sipërfaqe më të madhe, krahasuar me vitin e kaluar, duke shtuar se prioritet i Ministrisë është sigurimi i rezervave shtetërore me produkte maqedonase dhe uljen e importit.
“Po punojmë për rritjen e prodhimit, me qëllim që Maqedonia më në fund të mos cilësohet si shtet i varur nga importi. Trendi i rritjes së prodhimit është tregues serioz”, deklaroi Tripunovski, duke shtuar se është shpallur edhe thirrja e parë për furnizimin me 9 mijë tonë sasi të grurit.