Maqedonia e Veriut synon rritjen e sigurisë në shkolla

Psikologët në Maqedoninë e Veriut thonë se pamjet e dhunshme që shfaqen në rrjetet sociale, mbeten burim i sjelljes agresive. Më e keqja, ato bëhen model për grup-moshat më të reja, që për shkak të moshës, nuk janë në gjendje të ndajnë realen nga jorealja, e aq më pak të jenë në gjendje t’i vlerësojnë pasojat nga sjelljet e tilla. Këto reagime pasojnë njoftimin e së martës se në Ministrinë e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut është denoncuar një nxënëse, e cila kishte hartuar një listë me personat që i kishte shenjestëruar si “viktima të mundshme”.

Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale ul ndjeshmërinë te të rinjtë

Tiana Ivanovska, psikologe, thotë se përdorimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve sociale ka bërë që në masë të theksuar të humbet ndjeshmëria te fëmijët, por edhe vetë prindërit.

Ajo thekson se së fundmi edhe prindërit në vend të debateve me fëmijët, komunikimin e zhvillojnë përmes mjeteve elektronike pavarësisht se mund të jenë madje edhe në të njëjtin ambient. Kjo, thotë Ivanovska, bën që të rritet një gjeneratë e cila nuk e ka të zhvilluar empatinë, përkatësisht humbet aftësinë për të kuptuar apo bashkëndier gjërat që përjetojnë me miqtë e tyre.

“Duhet përpjekur që të vendosim më shumë vlera pozitive gjatë komunikimit, e para prind-fëmijë dhe më pas me fëmijë. Duhet shmangur çdo lloj përdorimi të dhunës qoftë dhe ajo verbale, gjatë komunikimit apo si zgjidhje për çfarëdolloj problemi”, thotë Ivanovska për Radion Evropa e Lirë.

Nga dikasteri i policisë nuk kanë dhënë më shumë detaje për rastin e denoncuar në gjatë të martës, megjithëse në njoftimin e shkurtër për mediat, kanë theksuar se në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale dhe Prokurorinë Publike po punojnë për ndriçimin e këtij rasti.

Ndërkohë, kryetari i komunës Qendër të Shkupit, Goran Gerasimovski, në territorin e së cilës gjendet kjo shkollë, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat në bashkëpunim të ngushtë me autoritet e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndriçohet plotësisht rasti në fjalë duke bërë thirrje që të mos krijohet panik.

“Sa i përket vetë ngjarjes, kam folur me drejtorin e shkollës, por edhe me të gjithë drejtorët e shkollave fillore të komunës që drejtoj. Tashmë nga sot, përmes mësuesve komunikojnë në mënyrë intensive me prindërit dhe fëmijët duke i paralajmëruar për pasojat e veprimeve të tilla, të cilat disa prej fëmijëve i kuptuan si lojë apo shaka. Pres që të gjithë mësuesit, por mbi të gjitha prindërit, të flasin me fëmijët e tyre dhe t’u tregojnë se sa e rrezikshme është të përdoret kjo ngjarje fatkeqe, qoftë dhe për shaka”, ka theksuar Gerasimovski në një komunikatë për mediat.

Ai ka shtuar se në asnjë mënyrë tragjedia e tmerrshme që ndodhi në Beograd nuk duhet përdorur si lojë mes nxënësve.

Shkollat rrisin kontrollimin e fëmijëve se çka sjellin në klasa

Në mbledhjen e drejtorëve të shkollave të komunës së Tetovës, në kuadër të sektorit për veprimtari publike të departamentit për arsim është diskutuar çështja e sigurisë në shkolla.

“Sot kishim një mbledhje të veçantë për sa i përket masave të sigurisë në shkolla, që të rritet kontrolli përkatësisht nxënësit herë pas here të kontrollohen se çka bartin me vete në xhepa apo çanta. Kishim dhe rastet për paralajmërimin për vendosjen e bombave dhe këto paralajmërime edhe mund të përsëriten. Mirëpo, ne si shkolla, jemi të gatshme, duke filluar nga drejtorët, shërbimi profesional, i gjithë stafi i shkollave t’i bëjmë sytë katër jo vetëm për të shmangur paralajmërimet për bomba, por të shmangin rastet që nxënësit në xhepat e tyre të bartin mjete që nuk u duhen në shkollë dhe të vijë deri te diçka e padëshirueshme”, thotë Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e një shkolle fillore në Tetovë.

Ministria e Arsimit hap linjë për denoncimin e rasteve të dhunës

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se ka nisur fushatën “Së bashku t’i japim fund dhunës në shkollë”. Nga kjo ministri kanë thënë se nga shkollat kërkohet që të ndërtojnë “mjedis shkollor paqësor pa asnjë formë dhune”.

Nga Ministria e Arsimit kanë porositur të gjithë qytetarët, mësuesit prindërit dhe vetë nxënësit nëse vërejnë çfarëdolloj forme të sjelljes së dhunshme në shkolla, menjëherë ta paraqesin në adresën elektronike:

[email protected]

[email protected]

Ndërkohë, hulumtimi i realizuar nga një grup i profesorëve të Fakultetit të Filozofisë në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, i cili u prezantua gjatë kësaj jave, ka nxjerrë në pah se 37 për qind e fëmijëve ndihen të pasigurt në shkollat e vendit.