Maqedonia e Veriut shënon 2 Gushtin – Ditën e Republikës

Institucionet e Maqedonisë së Veriut prej dje e deri më 10 gusht do të realizojnë aktivitete në lidhje me festën shtetërore 2 Gushti – Ditën e Republikës, Ilindenit. Sot janë paraparë aktivitete nga të gjitha institucionet shtetërore në vende të ndryshme, transmeton Portalb.mk.

“Sot, në festën tonë më të ndritur të Ilindenit, kujtojmë gjeneratat që luftuan për të dy republikat tona – të Krushevës më 1903 dhe të KAÇKM-it në vitin 1944. Të nxitur nga ideja progresive për lirinë politike dhe drejtësi sociale, të rinjtë ishin drejtuesit e të dy Ilindenëve”, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski, duke vlerësuar që tani kemi shtet të lirë falë kontributit të të rinjve nga gjenerata e Ilindenit dhe ajo antifashiste.

Presidenti theksoi që të rinjtë janë kyç për çdo transformim shoqëror.

“Vendimet e pjesëtarëve të Ilindenit dhe KAÇKM-së na obligojnë të ndërtojmë një shtet evropian. Sot Republika ka nevojë për një vendim të ri shtetëror, nga gjenerata e sotme e të zgjedhurve të popullit, ashtu që shteti dhe qytetarët do të vazhdojnë në rrugën e përcaktuar të progresit”, deklaroi sot Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski theksoi që dy Ilindenët janë themeli i shtetit, gjuhës dhe kulturës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që kjo festë të festohet nga të gjithë.

“Ideja themelore e Ilindenit dhe ajo që është angazhimi i të gjithë neve për të ardhmen e këtij shteti dhe qytetarëve të këtij shteti. Në këtë kontekst, mendoj se perceptohet edhe ideja themelore e fjalimit të adresimit”, deklaroi kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili theksoi që bartës i sivjetmë i aktiviteteve është Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Aktivitete do të realizohen edhe nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Presidenca.

“Me rastin e festimit të ditës, kur kremtojmë 120 vjet nga fillimi i Kryengritjes së Ilindenit, shpalljes së Republikës së Krushevit dhe Ditës kur para 79 vitesh u mbajt Seanca e Parë e KAÇKM-së dhe krijimit të shtetësisë sonë, do të zhvillohen një sërë ceremonish në organizim, por edhe me pjesëmarrje të kreut të shtetit”, sqarojnë nga Qeveria.

Ministri i punëve të brendshme, Olvier Spasovski, monumentet historike tregojnë vizionin për përparimin e shtetit tonë.

“Asnjëherë nuk kemi qenë kaq afër deri te qëllimi i cili bazohet në idetë e ASNOM-it, si dhe të atyre të Ilinden-it të vitit 1903, të cilat dhanë kahje të qarta për rrugën e zhvillimit të shtetit, me të cilat duhet të kapim hapin me shtetet evropiane-bashkim, liri, barazi, tolerancë dhe dialog-përfitime si vlera të përhershme të shoqërisë së Maqedonisë”, deklaroi Spasovski.

Ndryshe, aktivitetet e dhjetëditëshit filluan dje në prezencë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ndërsa aktivitetet do të realizohen në disa vende të ndryshme historike në vend.