Nëse nuk e ndalim tani shpërnguljen, ekziston rrezik real, alarmoi Pendarovski duke numëruar arsyet e shpërnguljes

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, sot gjatë shënimit të 2 Gushtit – Ditës së Republikës, duke theksuar kontributin e të rinjve në proceset historike, ka alarmuar për shpërnguljen masive të të rinjve, transmeton Portalb.mk.

“Me tempin e tanishëm të shpërnguljes, ekziston rrezik real shumë shpejt të arrijmë pikën kritike demografike pas së cilës nuk ka kthim. Nëse nuk e ia presim rrugën këtij trendi të rrezikshëm dhe nëse nuk e ngadalësojmë atë me politika të përkushtuara dhe me strategji konkrete për të rinjtë të realizuar në praktikë, ne na pret një e ardhme shumë më e keqe se ajo të cilën po e parashikojmë momentalisht”, alarmoi Pendarovski.

Ai vlerësoi që të rinjtë duhet të jenë masë kritike në shoqëri, duke shtuar që të rinjtë sot janë pakicë e rrezikuar, derisa përkujton që të rinjtë ishin nxitës të të dy ilindenëve, ndërsa shteti është falë brezit të ri antifashist.

Por, që zëri i tyre kritik të sjellë ndryshim shoqëror, të rinjtë duhet të jenë masë kritike në shoqëri. Në vend të kësaj, sot, të rinjtë janë pakicë e rrezikuar. Pjesëmarrja e të rinjve në popullatën e përgjithshme ka rënë nga 28% në vitin 1970 në vetëm 16% në vitin 2021. Ne, për fat të keq, i kemi arritur tashmë projeksionet demografike të Kombeve të Bashkuara për vitin 2030”, raportoi Pendarovski.

Ndjenja si i huaj në vend të vet dhe mosbesimi se vota e tij mund të bën ndryshimin në shoqëri, sipas Pendarovskit, janë arsyet kryesore pse të rinjtë u larguan nga vendi.

“Gjithnjë edhe më pak të rinj besojnë se me mundin personal mund të përparojnë në karrierë dhe të kontribuojnë për të mirën e përgjithshme dhe për interesin publik, sepse me libreza partiake, lidhja farefisnore apo përkatësia etnike janë gjithnjë më të rëndësishme se njohuria dhe cilësia”, vlerësoi Pendarovski.

Korrupsioni është një nga arsyet kryesore për shpërnguljen masive të të rinjve, theksoi Pendarovski, duke e llogaritur shpërnguljen si protestë përfundimtare e brezave të rinj.

“Duhet të mobilizojmë çdo segment të shoqërisë në çrrënjosjen  e korrupsionit, nepotizmit dhe krimit. Edhe më e rëndësishme, pikërisht reformat evropiane do të na ndihmojnë ta realizojmë interesin tonë jetësor nacional, kurse ai është, t’i motivojmë të rinjtë të qëndrojnë në shtet dhe të përfshihen në ndërtimin e Maqedonisë evropiane”, deklaroi Pendarovski për 2 Gusht.

Ai paralajmëroi që për shkak reformave të vonuara evropiane, ekziston rreziku që brezi i ri të shpërngulet.

“Sot, në Ilinden, duke kujtuar tri republikat maqedonase – të Krushevës më 1903, të KAÇKM-së më 1944 dhe të pavarësisë më 1991, duhet të jemi të vetëdijshëm se varet vetëm prej nesh nëse republika e katërt maqedonase do të jetë evropiane apo emigruese”, deklaroi Pendarovski.