Maqedonia e Veriut “më e lira” në Evropë, por rrogat nuk dalin as për jetesë

E gjithë rroga më shkon për ushqim – kjo është një nga ankesat më të shpeshta të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. I njëjti shqetësim nga viti i kaluar po i shqetëson edhe këtë vit. Nuk ka ditë që nuk ankohen para kamerave televizive për atë se sa shumë kanë paguar dhe sa pak kanë blerë për shumën e shpenzuar. Tema bëhet edhe më aktuale gjatë sezonit të pushimeve verore, kur për këtë qëllim pothuajse nuk ka mbetur asgjë në buxhetin e familjes. Problemi nuk është endemik. Ai i shqetëson edhe qytetarët nga vendet anëtare të BE-së, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Por, sipas të dhënave të Eurostat, vitin e kaluar Маqedonia ka qenë vendi me nivelet më të ulëta të çmimeve. Këtë e tregon analiza e qershorit e këtij institucioni statistikor, me ç’rast rezultatet bazohen në paritetin e fuqisë blerëse dhe çmimet që përfshin më shumë se 2 mijë mallra dhe shërbime të konsumit të gjerë. Analiza u realizua në 36 vende evropiane: 27 vendet e BE-së, tre vende të EFTA-s (Islanda, Norvegjia dhe Zvicra) dhe 6 vende kandidate (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia).

Janë analizuar çmimet të katër grupeve: ushqimit dhe pijeve joalkoolike; pijeve alkoolike dhe duhanit; veshjeve; dhe këpucëve. Këto 4 grupe përfaqësojnë mesatarisht 17%, 5%, 3% dhe 1% të shpenzimeve familjare.

Çmimet më të ulëta për ushqim, alkool, duhan, mobilje, restorante…

Sa  i përket vendeve të BE-së, në vitin 2024 Luksemburgu kishte nivelin më të lartë të çmimeve për ushqim dhe pije joalkoolike, Irlanda për pije alkoolike dhe duhan, ndërsa Danimarka ishte më e shtrenjta për veshje dhe këpucë. Nga të gjitha 36 vendet e analizuara, Zvicra ka nivelin më të lartë të çmimeve për ushqim, pije joalkoolike dhe veshje. Nga ana tjetër, Maqedonia ka nivelet më të ulëta të çmimeve në dy nga grupet e analizuara.

“Në anën tjetër të spektrit, Maqedonia e Veriut ka nivelet më të ulëta të çmimeve nga të gjitha 36 vendet për sa i përket ushqimit dhe pijeve joalkoolike, pijeve alkoolike dhe duhanit”, thuhet në analizën e Eurostat.

Çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike në Maqedoni kanë qenë për 26,6% më të ulëta, gjegjësisht kanë qenë 73,4% e mesatares të BE-së. Krahasuar me fqinjët e saj çmimet e ushqimit në Serbi kanë qenë sa 96,4% e mesatares evropiane, në Mal të Zi 84,4%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 83,2%, ndërsa Shqipëria për herë të parë e ka tejkaluar mesataren evropiane duke arritur në 101%. Pas Maqedonisë (me 73,4%), në vendin e dytë me çmimet më të ulëta të ushqimit dhe pijeve joalkoolike është Turqia me 76,7%. Turqia, nga ana tjetër, kryeson me nivelin më të ulët të çmimeve të veshjeve me 68,8% të mesatares evropiane, ndërsa Maqedonia është e dyta me 78,3%.

Sipas të dhënave të Eurostat Maqedonia ka edhe nivelet më të ulëta të çmimeve për pijet alkoolike dhe duhanin, të cilat janë 59% e mesatares evropiane. Por ajo ka edhe çmimet më të ulëta për mobiljet (orendi, mbulesa për dysheme, qilima, etj.) me 61,8% të mesatares evropiane. Maqedonia është gjithashtu më e lira sipas nivelit të çmimeve për pajisjet për transport personal (automjete) me 87,7%, më e lira për shërbimet e transportit me 55,2%, si dhe ka nivelet më të ulëta të çmimeve në restorante dhe hotele me 49,5% të mesatares evropiane.

Të dhënat nga kuleta

Qytetarët nuk i shikojnë statistikat, por “të dhënat” nga kuletat e tyre dhe kërkojnë masa efikase që do ta ndalojnë rritjen e çmimeve. Në këtë temë janë duke u zhvilluar bisedime mes institucioneve kompetente dhe ekspertëve. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se në këtë drejtim së shpejti do të ketë propozime.

“Në interesin tonë si qeveri është që të kemi qytetarë të kënaqur, të cilët do të kenë çmime më të ulëta në Evropë. Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që qytetarët, brenda mundësive tona, të kenë çmime më të ulëta në Evropë. Dhe ne këtë po bëjmë. Por duhet t’i futemi kësaj pune në thelb, në themel. Nëse nuk arrijmë atje, e gjithë kjo do të jetë me intensitet të shkurtër dhe për një kohë të shkurtër”, tha Kryeministri.

Po vijojnë konsultimet me ekspertë dhe po monitorohet se çfarë po ndodh me sjelljen e tregtarëve, prodhuesve, distributorëve dhe zinxhirëve tregtarë. Sipas Ministrisë së Ekonomisë nëse do të ketë masa për ta ndalur rritjen e çmimeve të ushqimeve do të dihet deri në fund të këtij muaji. Deri në fund të muajit korrik duhet të mbahet një seancë e Këshillit Ekonomik dhe Social, në të cilën do të diskutohen masat e mundshme për ndaljen e rritjes së çmimeve.

Shpenzimet për jetesë janë rritur për 4.5%

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës inflacioni i matur sipas indeksit të shpenzimeve për jetesë në muajin qershor të vitit 2025 krahasuar me muajin maj të vitit 2025 ka qenë 0,8%. Inflacioni më i lartë në muajin qershor krahasuar me atë në muajin maj është rezultat i rritjes së shpenzimeve për jetesë në këto grupe: transport për 2,9%, rekreacion dhe kulturë, ushqim dhe pije joalkoolike për 1,1%, mallra dhe shërbime të ndryshme për 0,9%, mobilje, orendi shtëpiake dhe mirëmbajtje të amvisërive për 0,8%, restorante dhe hotele për 0.5%, shëndetësi për 0,3%, komunikime, veshje dhe këpucë për 0,2% dhe banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse për 0,1%. Shpenzimet për jetesë për grupet pije alkoolike, duhan, arsim mbetet në të njëjtin nivel si në muajin paraprak. Indeksi i shpenzimeve për jetesë në muajin qershor të vitit 2025, krahasuar me muajin qershor të vitit 2024, ka shënuar një rritje prej 4,5%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë ka shënuar një rritje prej 3,7%.

Nga ana tjetër, vlera e shportës minimale sindikale për muajin maj të vitit 2025 ka qenë 63.908 denarë dhe është më e lartë për 1.217 denarë krahasuar me muajin prill, që ishte 62.691 denarë. Shpenzimet më të mëdha janë për ushqim dhe pije (22.434 denarë).

Dallime të mëdha në çmime

Në vitin 2024, nivelet e çmimeve për mallrat dhe shërbimet për konsum të gjerë kanë dalluar ndjeshëm në të gjithë Evropën. Sipas Eurostat, në vitin 2024 Danimarka ka pasur nivelin më të lartë të çmimeve për mallrat dhe shërbimet për konsum të gjerë në mesin e vendeve të BE-së, me 43% mbi mesataren e BE-së, ndërsa Bullgaria kishte më të ulëtin dhe atë për 40% nën mesataren. Disperzion më i madh i çmimeve është konstatuar tek pijet alkoolike dhe duhani, që kryesisht është për shkak të ndryshimeve të mëdha në tatimin e këtyre produkteve në të 36 vendet. Alkooli dhe duhani kanë regjistruar dallimin më të madh të çmimeve në mesin e vendeve të BE-së: Irlanda është spikatur si më e shtrenjta, me çmime që arritën deri në 205% të mesatares së BE-së, ose 3 herë më të larta se Bullgaria, ku çmimet ishin më të ulëtat në 69% të mesatares. Dallimi i dytë më i madh sa i përket çmimeve tek vendet e BE-së vitin e kaluar është evidentuar në kategorinë e restoranteve dhe hoteleve. Më të larta kanë qenë çmimet në Danimarkë prej 148% të mesatares së BE-së, ndërsa më të ulëta në Bullgari me 53% të mesatares.

Çmimet rekord të larta të ushqimeve ishin arsyeja që eurodeputetja kroate inicioi një debat në Komitetin për Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorit pranë Parlamentit Evropian, në të cilin morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian (KE), Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO). Masat do të shqyrtohen në vijim.

Frika nga ndryshimi i situatës

Si në rrafsh evropian ashtu edhe në atë global nuk ka optimizëm se në të ardhmen çmimet e ushqimeve do të bien, pasi nuk ka shenja se do të zhduken shkaqet për rritjen e çmimeve: rritja e kostos së prodhimit, ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, ndryshimet klimatike dhe politikat tregtare. Si tejet shqetësues konsiderohet ndikimi i ndryshimeve klimatike. Sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2022 gjatë 60 viteve të fundit ndryshimet klimatike e kanë ngadalësuar rritjen e prodhimtarisë bujqësore. Në të paraljamërohet për një “pikë ndryshimi” të mundshëm kur ndikimet klimatike do ta fshijnë çdo përparim të ardhshëm në rritjen e prodhimtarisë, gjë që mund të jetë shkatërruese.

Por edhe pa këtë, pjesa më e madhe e prodhimtarisë bujqësore që varet nga kushtet e motit është një biznes jashtëzakonisht i pasigurt, ndërsa produkte të caktuara, si vaji i ullirit, kafeja dhe kakaoja, prodhimi i të cilave është i përqendruar vetëm në disa vende, janë tejet të cenueshme.