ANALIZË: Çmimet botërore të ushqimeve në rënie, në Maqedoninë e Veriut ka rritje për 4,1%

Çmimet botërore të vajit, sheqerit dhe drithërave po bien, ndërsa çmimet e mishit dhe të produkteve të qumështit po rriten. Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) njoftoi se në maj, krahasuar me prillin, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të ushqimeve shënoi rënie prej 0,8%. Statistika e vendit mati se kostot e jetesës për ushqim në të njëjtën periudhë të analizuar u rritën për 4,1%. Në maj, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, përveç ushqimit, u rritën edhe kostot e jetesës për mirëmbajtjen e amivisërive, kujdesin shëndetësor dhe sektorin e hotelerisë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Goditje e ri çmimesh, pse çmimet u rritën përsëri

Frutat dhe perimet sezonale i vërshuan tregjet, por çmimet u rritën përsëri. Në marketet dhe dyqanet në Shkup që janë të specializuara për shitjen e frutave dhe perimeve, në fund të majit dhe në fillim të këtij muaji, çmimet ndryshojnë, por prapë mbeten në një nivel të lartë.

Konkretisht, një kilogram luleshtrydhe shitet për 300 denarë, pjeshkët për 170 deri në 200 denarë, ndërsa një kilogram shalqi për të paktën 60 denarë. Pak më i ulët është çmimi i kastravecëve, ku çmimi i tyre është nga 35 deri në 50 denarë për kilogram, mirëpo domatet dhe specat ende “mbajnë” çmime prej 100 denarësh. Në periudhën e kaluar, disa produkte janë shtrenjtuar dukshëm, si p.sh. 100 gramë kafe që shitej për 74 denarë, tani, nën të njëjtën markë me të njëjtën peshë, kushton 99 denarë, që është një rritje prej më shumë se 25%.

Statistikat vendase matën se në maj, krahasuar me prillin, inflacioni i përgjithshëm ishte 1,5%, ndërsa kostot e jetesës vetëm për ushqimin u rritën për 4,1%. Shpenzimet e ushqimit janë rritur gjithashtu krahasuar me majin e vitit të kaluar, për 4,9%, ndërsa në pesë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja është 4,1%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga janari deri në fund të majit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kostot e jetesës janë rritur pothuajse për gjithçka: për mirëmbajtjen e amvisërive dhe për mobilje për 3,7%, për kujdesin shëndetësor për 4,1%, për restorantet dhe hotelet për 7,8%.

Çmimet botërore të ushqimeve në rënie…

Në maj, krahasuar me prillin, sipas statistikave nga Organizata Botërore e Ushqimit, indeksi i çmimeve të ushqimeve u ul për 0,8%. Konkretisht, indeksi i çmimeve të drithërave ka rënë për 1,8%, të vajit bimor për 3,7%, kurse i sheqerit për 2,6%.

Çmimet globale të misrit kanë rënë ndjeshëm gjatë këtij muaji, nën presionin e konkurrencës së fortë dhe rritjes së disponueshmërisë sezonale. “Çmimet globale të vajit bimor kanë rënë për shkak të konkurrencës, rritjes së prodhimit sezonal dhe stoqeve ekzistuese”, tha FAO. Nga ana tjetër, në maj, krahasuar me prillin, indeksi i çmimeve të produkteve të qumështit është rritur për 0,8%, ndërsa i mishit për 1,3%.

Rritja e inflacionit vendas është duke u ndjekur me vigjilencë nga BPM-ja. Vlerësimi i Bordit Ekzekutiv për Politikë Monetare të BPM-së, i pari në mandatin e guvernatorit të ri Trajko Sllaveski, vë në dukje se inflacioni i majit është më i lartë se pritjet dhe për këtë arsye ka nevojë për kujdes të shtuar. BPM-ja, e kryesuar nga guvernatori i ri, e ruajti politikën monetare aktuale, pa ndërhyrje në instrumentet lehtësuese.

“Performanca inflacioniste vazhdon të jetë një segment i rëndësishëm që duhet të monitorohet nga afër. Konkretisht, në maj të vitit 2025, përqindja vjetore e inflacionit u përshpejtua dhe arriti në 3,3%.Kjo është kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, e cila vjen pas përfundimit të vlefshmërisë së masave për kufizimin e rritjes së çmimeve”, theksojnë nga BPM-ja, dhe shtojnë se:

“Performanca e inflacionit deri më tani është pak mbi pritjet, duke treguar disa efekte të zgjatura dhe nevojë për kujdes. Prandaj, rreziqet për dinamikën e ardhshme të inflacionit vazhdojnë të ekzistojnë dhe lidhen me pasigurinë e vazhdueshme nga mjedisi i jashtëm në ndryshim, por edhe me faktorët e brendshëm që ndikojnë mbi kërkesën.”

Nga Qeveria njoftuan se po monitorohet situata me rritjen e çmimeve dhe, sipas informacioneve të “Portalb”-it, nuk përjashtohet mundësia që të merren përsëri masa të caktuara që lidhen me marzhat dhe çmimet përfundimtare.